Basha: Rama-Meta s’kanë ofertë

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin elektoral në qytetin e Pogradecit. Varfëria dhe mjerimi kanë pllakosur anembanë vendit, qytetarët kërkojnë zgjidhje, ndërsa dyshja Rama – Meta ofrojnë kërcënime, shantazhe, mallkime. Zoti Basha theksoi se e vetmja gjë që duan Rama – Meta është të fusin në dorë Pogradecin, që ta përdorin për interesa të tyre dhe duke e parë se vullneti i zgjedhësve nuk është në anën e tyre, kërcënojnë kandidatin e opozitës.

“Kanë ardhur në këto zgjedhje në Pogradec me një pazar të ulët që ka një dhe vetëm një qëllim, kapjen e Pogradecit, kthimin e Pogradecit në një çiflig për Ilir Metën e LSI, përdorimin e pushtetit vendor për korrupsion e abuzivizëm. Kjo është arsyeja se pse Ilir Meta e do me çdo kusht Pogradecin dhe nuk ka ndalur as para shantazheve, as para kërcënimeve për të bërë gjithçka që ta shtijë në dorë. Së fundmi, guxoi dhe kërcënoi edhe kandidatin tonë. Po pse e kërcënoi, thoni ju? Sepse nuk ka alternativë, s’ka ofertë, s’ka zgjidhje për problemet e Pogradecit dhe pogradecarëve dhe e ka kuptuar. Ai e di që pogradecarët e dinë se Ilir Meta nuk ëshët zgjidhja por është problemi për Pogradecin.

E dinë të djathtët, e dinë të majtët, e dinë demokratët, e dinë socialistët. E dinë të gjithë, sepse si asnjëherë tjetër Pogradeci do të votojë për ofertën e vërtetë dhe njeriun e vërtetë të punës dhe përkushtimit ndaj jush, për Eduard Kaprin, ndaj do me çdo kusht që të mos ketë garë, do me çdo kusht të mos ketë zgjedhje sepse e di që me zgjedhje i fituari është i zgjedhuri i Pogradecit dhe pogradecarëve, kryetari i ardhshëm i Bashkisë, Eduard Kapri”

Këta erdhën në pushtet, – tha zoti Basha, sepse premtuan uljen e taksave por në fakt çfarë bënë? I rritën ato, rritën taksën mbi naftën me 240 lekë për litër dhe ia transmetuan këtë rritje të gjithë mallrave dhe shërbimeve për të gjithë shqiptarët, rritën taksën mbi pronën duke gërmuar edhe më thellë në xhepat e boshatisur të familjarëve.

“Këta premtuan 300 mijë vende pune por papunësia është rritur, varfëria është rritur, varfëria ekstreme është pesëfishuar, sipas të dhënave të vetë qeverisë.

Këta premtuan çmime të ulëta por çmimet e ushqimeve janë rritur, çmimi i energjisë është bërë i papërballueshëm, njerëzit po shesin orenditë, fermerët po shesin bagëtinë e prapë nuk ia dalin. Njerëzit po zhyten në borxhe, familjarë, kryefamiljarë që arrijnë deri sa të shesin gjakun e trupit për të mos përfunduar pas hekurave, për 30 apo 40 mijë lekë të vjetra borxh të papaguara. 

Kush ka një vend pune është i pasigurt nëse do e mbajë apo jo, mijëra e mijëra të tjerë kanë humbur vendet e punës dhe s’kanë asnjë siguri se  të gjejnë vend pune. Pamundësia për të mbyllur muajin është makthi më i madh i mbi 80% të familjeve shqiptare, kryefamiljarë e kryefamiljare që rrinë me sytë nga qielli apo me sytë përdhe sepse nuk kanë se me çfarë të blejnë bukën e fëmijëve të tyre në darkë.

Ky realitet dhimbës karakterizohet nga çmime të larta, taksa të larta, fatura të larta por rroga që nuk janë rritur. Shqiptarët fitojnë më pak, paguajnë më shumë, jetojnë më keq por vallë qeveria a i sheh, a i dëgjon, a i kupton këto probleme? A janë prioritetet e dyshes Rama-Meta, zgjidhja e tyre? E keni parë se në këto dy vite dhe po kështu në këto dy muaj të fushatës nuk kanë asnjë fjalë, asnjë zgjidhje, asnjë ofertë për këto probleme. Ditë për ditë merren me sharje, ofendime, kërcënime, shantazhe ndaj opozitës, kryetarit të opozitës, kandidatëve tanë” – theksoi zoti Basha

Ditë për ditë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike merren vetëm me mashtrime, fjalë boshe sepse nuk kanë interes tjetër përveç kontrollit e pushtetit absolut, nuk kanë asnjë interes për zgjidhjen e problemeve tuaja. Interesi i vetëm që kanë është pushteti i tyre, ndaj gjërat kanë shkuar keq e më keq sepse nuk kanë parë për asnjë moment se çfarë mund të bëjnë për ju.

“Çështja që shtrohet në këto zgjedhje është, a është ky drejtimi i duhur për ju? A janë taksat e larta, rrogat e ulëta, papunësia, çmimet që rriten, faturat që dyfishohen? A është ky, drejtimi i duhur për ju? A është ky drejtimi i duhur për të djathtë, a është ky drejtimi i duhur për të majtë? Sigurisht që jo, por për ta ky është drejtimi i duhur, ndaj kanë bërë gati të rrisin edhe çmimin e ujit me 50%!

Votoni ofertën tonë për të ulur taksat, që më shumë para të jenë në xhepat tuaja, më shumë para të jenë te biznesi që të punësojë më shumë pogradecarë, rini, t’i punësojë e t’i punësojë me paga dinjitoze. Votoni platformën tonë për uljen me 25 % të çmimit të energjisë, më të lartë në rajon. Votoni platformën tonë për heqjen e taksës prej 240 lekë/litër për karburant, në mënyrë që edhe këtu karburanti të mund të tregtohet njësoj siç tregtohet në anën tjetër të kufirit, që shqiptarët, njerëzit me të ardhura më të ulëta të mos e paguajnë karburantin më shtrenjtë se çdo popull tjetër i Ballkanit!

Çdo votë e juaja do të jetë një përgjegjësi e madhe për Partinë Demokratike dhe për mua Lulzim Bashën, që t’ju përgjigjem me vendosmërinë time e të opozitës, çdo orë  e çdo minutë deri në fitoren e betejës tonë për taksa të ulëta, për çmime të ulëta, për punë dhe dinjitet!

Ora e fitores po afron, ora e zmbrapsjes së zullumit dhe oligarkisë po afron, asgjë nuk e ndalon, asgjë nuk na tremb!” – përfundoi fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

SHKARKO APP