Basha, Ramës: Laku po shtrëngohet, do mbash përgjegjësi penale
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një komunikim me gazetarët hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, shefi i ekzekutivit shqiptar për interesat e ngushta politike ka zgjedhur të izolojë Shqipërinë njësoj si para 30 vitesh.
Nga selia blu, Basha shtoi faktin se kreu i mazhorancës i ka bërë llogaritë pa shqiptarët, ndaj shtoi se kjo strategji e gabuar do të marrë përgjigje ekzemplare në zgjedhjet e 25 prillit.
”Po rrethi po ngushtohet dhe laku po shtrëngohet dhe nuk ka formulë në botë ta fshehë që Edi Rama po sakrifikon integrimin e shqiptarëve, po e izolon përsëri Shqipërinë si para 30 viteve për shkak të tmerrit që ka nga zgjedhjet. Nuk ka për t’ia dalë. Një qeveritar që abuzon në këto nivele, që shkel kushtetutë e ligj, të jeni të sigurt se do të marrë përgjigje ekzemplare nga shqiptarët. I ka bërë llogaritë pa shqiptarët”, tha Basha.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i PD-së dhe opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha u shpreh se asgjë nuk mund ta shpëtojë kreun e qeverisë nga përgjegjësia që ka për keqmenaxhimin e krizës së pandemisë.
Basha tha se jemi i vetmi vend në rajon që në kohë sfidash paratë e shqiptarëve i çon te një grusht njerëzish, e krahas përgjegjësisë politike, kryeministri do të mbajë edhe përgjegjësi penale. “Asgjë nuk mund ta justifikojë apo shpëtojë Ramën nga përgjegjësia që ka për keqmenaxhimin e krizës së pandemisë. Për mos mbajtjen e premtimeve, për tenderat sekret, etj, të njëjtën gjë bëri edhe me tërmetin. Asgjë se shpëton nga përgjegjësia para qytetarëve. Jemi i vetmi vend në rajon që në kohë sfidash paratë e shqiptarëve i çon te një grusht njerëzish.
Ky mirë që s’dëgjon e nuk di planin për të dalë nga kriza por ky nuk dëgjon as shqiptarët. Në kushtet kur edhe një herë i parashtrojmë një plan me 5 pika për qytetarët, jo për ne, e ka për detyrë ta zbatojë , në kushtet e neglizhencës, e shpërfilljes, mos dëgjimit të zërit të njerëzve, ju siguroj që përgjegjësia nuk do të jetë politike, për të cilën do të përgjigjet një më një, por edhe penale. Këtë unë ju garantoj sot“, tha gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës së bashkuar, Luzlim Basha.