Basha takim me gratë! Sulm Ramës, Berishës dhe Metës: Nuk më trembin e as më ndalin
Gjatë një takimi me gra demokrate në Tiranë, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha goditi ashpër marrëveshjen PD-PS në 2008 për ndryshimin e Kushtetutës dhe theksoi se zgjedhjet e 14 Majit tregojnë se treshja Rama-Berisha-Meta janë pakicë.
“E vërteta është se pakti kushtetues Rama –Berisha i 2008-ës është varri i demokracisë. Sistemi mazhoritar me korrigjim proporcional shumëfishoi problemet. Ndonëse ligji për “Dekriminalizminin” u miratua, e keqja bëri bypass. Do të kufizojmë mandatin e Presidentit, me shumë pak kompetenca, në vend që të kthejmë kompetencat e 2008-ës. Listat e hapura, vetingu i politikanëve dhe kufizimi i mandateve janë tre propozime bazë dhe 80-90% e qytetarëve të pyetur para dy vitesh ishin pro këtyre propozimeve. 14 Maji tregoji se klasa e vjetër politike që ka zënë vendin prej fyti prej 33 vitesh janë pakicë. Të tre janë pakicë. Shumicës duhet t’i japim mundësi të flas, t’i japim zërin. Ndryshimet në sistemit politik dhe meritokracia në politikë do t’i hapin rrugën edhe fushave të tjera të jetës”, tha Basha.
Nga ana tjetër, ish-kreu i PD_së që synon të rimarrë tashmë PD-në që ka vulën por jo elektoratin, ftoi demokratët që të punojnë për të ndalur përpjekjen e asaj që i referohet si politika e vjetër për t’i mpirë nervin shoqërisë.
“Këta e kanë kuptuar që mua as më trembin as më ndalin. E kanë me njerëzit, nuk duan të demonizojnë një person por interesin për debatin mbi ju. Gënjeshtrat e tyre monstruoze më bëjnë të qesh. Mezi pres ditën kur nuk do të flasim më për lojërat e tyre, por do të flasim për qytetarët, për hallet e tyre dhe ndryshimin”, u shpreh ish-kreu i PD.