Basha takim me të rinjtë në Tiranë, flet për listat e hapura: Me këtë sistem ka degjeneruar politikbërja

I rikthyer në PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të rinjtë dhe të rejat e degës 14 në Tiranë, ku ka folur për rëndësinë e listave të hapura. Sipas Bashës, deputeti është lidhja mes votuesve dhe parlamentit, dhe me këtë sistem, ka degjeneruar politikëbërja sepse përfaqësuesit e qytetarëve kanë dështuar të kuptojnë problemet e tyre.

”Sa herë ka ardhur deputeti juaj i zonës për t’u takuar? Veçanërisht këta që po ju qeverisin. A ka ardhur njeri pasi ka marrë votën t’ju pyesë për problematikat tuaja? Jo. Pse? Sepse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ju. Lidhja me ju është njëherë në 4 vjet që të marrë mjaftueshëm vota partia dhe të rrinë në krye të listës ata që caktohen në krye të listës nga kryetarët. A mund ta ndryshojmë këtë? A keni shpresë se mund të ndryshohet?”,-pyet Basha të rinjtë ndërsa njëri prej tyre i përgjigjet se ka shpresë vetëm përmes listave të hapura.

Më tej, Basha bashkëbisedoi me të rinjtë për kuptimin e listave të hapura dhe rëndësinë që ato kanë për demokracinë. ”Nëse njerëzit duan demokraci si ato në Perëndim, listat e hapura janë zgjidhja”, thotë Basha.

SHKARKO APP