Basha takohet me kongresmenin Hill, flet për planet e PD-së
Lulzim Basha është takuar me kongresmenin French Hill, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, zv/kryetar i Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Komitetit të inteligjencës. Basha e ka njohur kongresmenin Hill me situatën në vend dhe rajon, dhe ka ndarë shqetësimin për situatën e tensionuar, që kulmoi me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.
Mbështetja për drejtësinë dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit, janë prioritete të PD-së, ka theksuar Basha dhe në këtë kuadër ka parashtruar edhe iniciativën për Vetting-un e politikanëve. Po ashtu Basha shprehu shqetësimin për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan dhe konkretisht në Kosovë, Bosnje, dhe së fundmi edhe në Mal të Zi, me konfigurimin e shumicës së re qeverisëse.
Basha ka vlerësuar vëmendjen e shtuar të SHBA-së dhe NATO-s në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ndërsa ka mbështetur zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar mbi planin franko-gjerman të mbështetur dhe nga SHBA. U diskutua edhe për impaktin që lufta në Ukrainë ka pasur në rajon. Basha edhe në cilësinë e reporterit të Këshillit të Europës për rindërtimin e Ukrainës, e njohu me rezolutën e përgatitur prej tij, që gëzon një mbështetje të gjerë në Këshillin e Europës.