Basha takon të rinjtë në Korcë: Më 21 Qershor del kampion Gjergji Mero e Halim Kosova

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur në qytetin e Korçës nga ku nisi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë.

“Të rinjtë janë zemra e PD-së dhe si të tillë do të qëndrojnë në pararojë të betejës së 21 qershorit, për t’i kthyer shqiptarëve shpresën, punën dhe dinjitetin”, është shprehur Basha, duke shtuar se niveli i papunësisë tek të rinjtë është në shifra alarmante.

Për uljen e papunësisë, kreu demokrat paraqiti ofertën e re të PD-së, atë të taksave të ulëta, e politikave të zhvillimit dhe e bashkëqeverisjes.

“Ndërsa të rinjtë e mirëarsimuar rendin rrugëve të Shqipërisë të pashpresë për një vend pune, qeveria promovon kriminelët.

Plaga e madhe që kemi, 40% e të rinjve të papunë nuk mund të mos jetë prioriteti ynë numër një. Shiko, çfarë rinie të aftë ka Korça! E pse është e nevojshme të merren kontigjente të krimit, si ai i akuzuari për përdhunim e të bëhet punonjës Tatimesh?!

Sepse kjo qeveri nuk e njeh meritën, ky është problemi i madh, sepse kjo është një ndër rrënjët e së keqes. Ndalja e së keqes dhe ekuilibrimi i pushteteve janë zgjidhja. Nuk është zgjidhje të largohemi nga Korça, nuk është zgjidhje të largohemi nga Tirana, nuk është zgjidhje të largohemi nga Shqipëria”, tha Basha.

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Korçë Gjergji Mero,  ka theksuar se në prioritetet e tij është nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetjen e biznesit.

“Do të mbështes çdo iniciativë private për hapjen e vendeve të punës, për vende pune për të cilat ka nevojë ky qytet dhe nuk ka nevojë për kulla.

Në Korçë, gjatë këtyre dy viteve janë mbyllur 2600 biznese të vogla e të mesme. Duke u mbyllur ato, kanë mbetur me mijëra familje të papuna, jo vetëm të bizneseve që janë mbyllur por edhe të të punësuarve aty.

Sot po mbyllen e po largohen shumë njerëz të vetëpunësuar", theksoi Mero.

Duke folur për ekipin e futbollit “Skënderbeu”, Mero u kujtoi tifozëve të Tiranës, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha se e kanë fituan sërish kampionatin, duke e garantuar se dhe në 21 qershor do të dalë kampion.

"Ndoshta juve të Tiranës, nuk ju erdhi mirë që e morëm për herë të pestë titullin kampion por prapë u ndamë miqësisht sepse e lamë ndeshjen barazim me Tiranën, se ju kemi miq dhe ju premtojmë se ashtu si dolëm kampionë në futboll do të dalim kampionë edhe në 21 qershor”, tha Mero

Ndërsa Basha në lidhje me këtë batutë u shpreh "në 21 qershor, do dalë kampionë Gjergji Mero edhe doktor Halim Kosova".

SHKARKO APP