Basha vijon takimet në Uashingon: Fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në nivelet e larta
Lulzim Basha po merr pjesë në forumin e IDU në Uashington-Aleanca botërore e partive të qendrës së djathtë. Basha pati takime dhe biseda me personalitete të ndryshme, mes të cilëve senatori Kevin Cramer nga North Dakota, ish-kryetarin e Kongresit Newt Gingrich, kryetarin e Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Republikane, Chris Fussner etj.
Basha ka diskutuar për situatën në Shqipëri dhe rajon. Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD thuhet se, SHBA ka një vëmendje të shtuar tek lufta kundër korrupsionit dhe drejtësia, për të cilat Basha theksoi se, janë edhe prioritet të PD, ndërsa bëri të ditur se ka mbështetur dhe mbështet dhënien fund të pandëshkueshmërisë nga SPAK dhe drejtësia e re.
Situata në rajon ishte një tjetër çështje për të cilën Basha tha se, është e domosdoshme vëmendja e shtuar e SHBA, ndërsa ka kërcënime për destabilizim. Ngjarjet e 24 shtatorit janë kambanë alarmi për sigurinë, ka theksuar Basha, duke shtuar se është koha që Serbia të pranojë realitetin e Kosovës, shtet të barabartë dhe të lejojë komunitetin serb të ndërtojnë të qetë jetën e tyre, pa presionin dhe kërcënimin e Beogradit.