Bashës-Ramës: Mirato të plotë paketën e masave të PD-së. Nuk janë propozime elektorale, janë për shqiptarët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje Ramës nga emisioni Ilva Now në Euronews Albania, që të veprojë pa komplekse dhe të miratojë të plotë paketën e masave të PD-së. Basha iu drejtua Ramës se këto propozime nuk janë elektorale por janë për shqiptarët.
“Roli i qeverisë është të marrë masa, të mos vonohet në marrjen e masave, të ketë një plan të qartë, ta menaxhojë situatën, të mos i lërë t’i dalë nga duart dhe pastaj t’i shkojë nga pas. Roli ynë është të bëjmë tranparencën, të kërkojmë llogari dhe të bëjmë propozime. Këto kemi bërë gjatë këtyre ditëve. Siç e thashë, pavarësisht prej retorikës politike, që refuzoj të bëhem pjesë, një pjesë pozitive është që shumë prej propozimeve tona, tani janë adoptuar nga qeveria. Njëra prej tyre është marrë nga Banka e Shqipërisë. Sot, kam një dhe vetëm një thirrje për kryeministrin Rama dhe për qeverinë. Të mos ketë asnjë kompleks. Propozimet nuk po i bëjmë as për fushatë, as për kapital politik. Po i bëjmë per diçka shumë më të madhe sesa PD dhe PS, se ego i atij apo e imja. Po e bëjmë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish, po e bëjmë për t’ia bërë sa më të lehtë shqiptarëve këtë kohë me shumë vështirësi dhe akoma me shumë të panjohura”, tha kryedemokrati.
Basha tha gjithashtu se, disa prej propozimeve janë adoptuar nga qeveria, pavarësisht prej toneve luftarake dhe për fat të keq prej debatit politik, ose “më mirë të themi sulmeve politike ndaj opozitës, prapë se prapë disa prej propozimeve tona tashmë janë adoptuar në letër”, tha ai.
Pyetje: Ju thoni se i ka sulmuar qeveria, por sot në një tëitter kryeministri i ka quajtur fantastike propozimet tuaja. Çfarë komenti për qëndrimin që ka mbajtur kryetari i qeverisë ndaj propozimeve tuaja?
Lulzim Basha: Refuzoj të përfshihem në debat politik, sepse nuk i vlen askujt debati politik dhe ai tëitter apo tëittera të tjerë, janë në fakt harxhim i kotë i kohës së njeriut që drejton qeverinë. I bëj thirrje mos të merret me opozitën. Do të ketë kohë të merret me opozitën dhe opozita të merret me të. Ta fokusojë gjithë energjinë e tij, gjithë kohën e tij tek zgjidhja e problemeve të njerëzve. Është kohë e humbur të sulmosh opozitën në këtë kohë. Beteja sot është për shëndetin e njerëzve. Të ishte për politikë, rrija dhe unë. Prisja të shihja çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon, gjurmoja, prisja dështimin e tij dhe nuk bëja asnjë propozim. Por po flasim për jetë njerëzish. Po flasim për shëndetin e njerëzve. Nuk ka këtu kuptim beteja politike. Asgjë nuk vlen më shumë se jeta. Politikanët, kryeministrat shkojnë e vijnë, qytetarët janë gjeja më e rëndësishme. Prandaj i kemi bërë propozimet që do t’i ndërmerrnim vetë po të ishim në qeverisje të vendit, pasi them se janë zgjidhja e duhur dhe plotësisht e mundshme. Mjafton që të ketë mirëmenaxhim, të ketë transparencë. Ka nevojë për transparencë edhe për të qetësuar njerëzit. Nuk mjafton të thuash “E di unë. Prisni se do të bëhet si të them unë” Transparenca është aleati më i mirë kundër panikut, kundër frikës. Ndaj dhe ftesa e thirrja ime është që të ketë transparencë për çdo hap dhe të veprohet më mirë një ditë më parë se një ditë më vonë. Shqipëria nuk ka mundësitë e Italisë apo vendeve të Europës, por ka mundësi. Vetëm fatura e koncensioneve është 120 milion euro. Vetëm para disa ditësh janë paguar 700 mijë euro për inceneratorin e Tiranës. Fatura në total ka shkuar 23 milion euro vetëm për inceneratorin e Tiranës. Po ju jap vetëm një shembull: vetëm një kilometër rrugë bën 20 milion euro. Ajo që po kërkojmë është jo vetëm e arsyeshme, por e domosdoshme. Ndalimin e këtyre kontratave, pezullimin apo ngrirjen e këtyre kontratave dhe devijimin e këtyre fondeve për familjet në nevojë.