Bashkëpunim i shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit dhe Border Force në Britani

Në një njoftim që Policia e Shtetit ka bërë publik në rrjetet sociale, vlerëson si të frytshëm dhe një bashkëpunim i shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit dhe Border Force në Britani, nëpërmjet partneritetit operacional kundër krimit të organizuar.
Një grup operacional i Policisë së Shtetit, i kryesuar nga dy Drejtorët e Departamenteve të Policisë Kriminale dhe Policisë Kufitare, zhvilloi një vizitë pune në Britaninë e Madhe.
Qëllimi i vizitës: Analiza e përbashkët në kuadër të TASK-Forcës për rezultatet e arritura në operacionin “Marewood” për goditjen e transportit të parave, trafikimit të armëve dhe drogës, dhe migracionit të parregullt.
Përfaqësuesit e palës britanike, Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA) dhe Border Force, kanë vlerësuar si të shkëlqyer punën e përbashkët të bërë në këtë drejtim, duke nxjerrë në pah rezultatet e arritura në PKK, sidomos në portin e Durrësit, PKK Rinas, PKK Hani Hotit dhe pikat e tjera të kalimit, si dhe në aeroportet e Londrës.
Ata kanë vlerësuar bashkëpunimin, profesionalizmin, besueshmërinë dhe rezultatet e Policisë së Shtetit me strukturat homologe britanike, sidomos me NCA-në dhe Border Force, duke e cilësuar këtë bashkëpunim të suksesshëm, me rezultate mbresëlënëse të papara më parë në Britaninë e Madhe.
Drejtuesit e Grupit Operacional të Policisë së Shtetit kanë falënderuar homologët për besimin dhe bashkëpunimin pa rezerva që solli këto rezultate dhe i kanë siguruar, në emër të Policisë së Shtetit, për thellimin akoma më tej të këtij bashkëpunimi, me qëllim arritjen e rezultateve edhe më pozitive në të ardhmen, për t’u shërbyer akoma më shumë qytetarëve të vendeve tona dhe për të rritur standardet e sigurisë.

SHKARKO APP