Bashkëpunuan me Tiren? Gjykata liron nga burgu një nga infermieret dhe sanitaren Hoxha

Tre infermieret dhe një sanitare e spitalit ”Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të lëna në ”arrest me burg” për 45 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë, dolën para gjykatës këtë të martë. Infermieret Sheqerije Koçi, Mira Bushi dhe Sidorela Çela, si dhe sanitarja Rukije Hoxha ankimuan vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu një nga infermierët dhe sanitaren. Janë lënë me masën ”detyrim paraqitje” infermierja Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Hoxha. Për Mira Bushin dhe Sheqerie Koçin, gjykata ka vendosur ”mospranim ankimi”, për çështje procedure.

Vajza e pacientes Liljana Kalemi denoncoi në media se pagoi 8 milionë lekë të vjetra në kohë të ndryshme tek sanitarja Tire, me premtimin se do ia shpërndante bluzave të bardha për një kujdes më të mirë ndaj nënës së saj. Vetë sanitarja iu prezantua vajzës si infermiere, ndërsa mjekëve u tha se pacienten e kishte teze.

Tre infermieret dhe sanitarja Hoxha u arrestuan në javën e parë të muajit shkurt. Për 3 infermieret akuza është shpërdorim detyre dhe mashtrim. Sipas prokurorisë, të katërta, bashkë me Tire Alldervishin, kishin krijuar një skemë për zhvatjen e pacientëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”, të shtruar atje si pasojë e infektimit me koronavirus. Ato merrnin përfitime të paligjshme nga familjarët në këmbim të shërbimeve spitalore.

SHKARKO APP