Bashkëshortja e Morinës: Ankthi dhe shpresa, shkelja në Serbi e barabartë me vdekjen

Federika Lo Toro rrëfen ferrin e përjetuar në javët e fundit, nga ndalimi i Ismail Morinës dhe frika për ekstradim në Serbi, deri te ndihma që ka marrë nga Federata Shqiptare dhe “drita” në fund të tunelit. Federika Lo Toro, këto javë pa parketuar një makth të vërtetë, sepse ka mbajtur e vetme dy fëmijë të vegjël dhe një tjetër do të vijë në jetë së shpejti, ndërsa ka udhëtuar shpesh nga Italia për në Kroaci, për të ndihmuar bashkëshortin e vet, duke qenë me profesion avokate. Edhe pse ka vuajtur jo pak këto kohë, Lo Toro nuk është demoralizuar dhe duke rrëfyer verën e çmendur të familjes së saj, mundohet ta marrë me humor: “Pushime kroate, që janë shumë më mirë se ato serbe. Shpresojmë që Ismaili të na kthehet në shtëpi tani”.

A ishte në dijeni Morina për këtë urdhër arresti?

Në fakt, jo. Duke qenë se ngjarja ndodhi në vitin 2014, ne u interesuam për lidhje me një urdhër arresti ndërkombëtar, por nuk ishte regjistruar askund, as në vitin 2015. Deri në 2016 nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë nga Serbia, ndaj menduam se ishte mbyllur me aq ajo histori, por pas ndalimit të Ismailit u informuam se Serbia ka më shumë se një vit që ka lëshuar urdhër arresti, duke akuzuar Ismailin për krim dhe fyerje të nderit serb, e të tjera akuza të ngjashme.

Çfarë do të ndodhte nëse Morina do të kishte pasaportën shqiptare?

Së pari, ndoshta do ta kishte kaluar kufirin pa verifikime të mëtejshme. Së dyti, nëse do të kishte pasaportë, do të ishte liruar me kusht, në pritje të gjyqit dhe vendimit final. Pa pasaportë, autoritetet kroate nuk mund ta lejonin të lëvizte lirisht, pasi mund të largohej fare lehtë nga Kroacia dhe të mos kthehej më.

Çfarë strategjie keni ndjekur për mbrojtjen e Ismailit?

Së bashku me avokatin, kemi kërkuar ndaljen e ekstradimit bazuar te fakti se në Serbi Ismailit i rrezikohet jeta. Edhe armëmbajtja pa leje ka pasur si zanafillë frikën e tij nga ndonjë atentat i mundshëm. Tani jemi në pritje të dy proceseve: i pari, ai në Dubrovnik, ku kërkojmë anulimin e ekstradimit, ndërsa i dyti është ai për azil politik, pasi kemi argumentuar se jeta e Ismail Morinës është në rrezik në Serbi dhe urdhër arresti në ngarkim të tij është si një dënim me vdekje.

Kush ka ndihmuar më shumë nga Shqipëria në ndryshimin e vendimit nga shteti kroat?

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndihmuar shumë, ka qenë shumë aktive në javët e fundit dhe na ka ndenjur pranë Të dërguar të saj folën me avokatin që po mbron Ismailin, takuan drejtues të Federatës së Kroacië dhe shumë njerëz të tjerë. U jemi mirënjohës, pasi duhej një lëvizje e të gjithëve, që të realizohej synimi për anulimin e ekstradimit. Edhe qeveria shqiptare ka qenë aktive, jam njoftuar që vetë kryeministri Rama ka ndërhyrë, edhe pse nuk di detaje të tjera në lidhje me bisedën e tij me autoritetet kroate.

Kur pritet të marrë fund odiseja e Morinës dhe cilat janë mundësitë?

Vendimi për shqyrtimin e çështjes nga e para u mor para dy ditësh, ndaj nuk e dimë ende kur do të zhvillohet seanca e re. Shpresojmë sa më shpejt, ndoshta brenda pak javësh. Skenari i parë është që të anulohet ekstradimi dhe Ismaili është i lirë të kthehet në Itali. I dyti është që në Dubrovnik të mos ketë ndryshim vendimi dhe kjo do të thotë që do të apelojmë sërish në Zagreb dhe do të ketë sërish disa muaj zvarritje. Për sa i përket Serbisë, mund të bëjë ç’të dojë, edhe gjyq në mungesë nëse dëshiron.

Si është psikologjikisht Ismaili, si e ka përballuar gjithë këtë histori?

Ai ka qenë në tension të jashtëzakonshëm. Edhe telefonatat me ne i kishte të kufizuara, 15 minuta në javë, asnjë më shumë, ndërsa frika e tij më e madhe ishte transferimi në Serbi. Për të, shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen.

Po ju, si e keni përjetuar këtë situatë, duke qenë se jeni edhe shtatzënë?

Është e vërtetë, tani jam në muajin e gjashtë dhe nuk është aspak e lehtë. Kam shkuar në Kroaci gjithnjë e shoqëruar nga dy fëmijët tanë, që janë 3 dhe 5 vjeç, pasi nuk kam kujt t’ia lë në Itali. Është një situatë mjaft e sikletshme, pasi edhe fëmijët nuk e kuptojnë realisht atë që po ndodh dhe më pyesin gjithmonë për babain e vet dhe pse nuk jemi në shtëpi. I kam çuar ta takojnë të atin dhe kanë qenë të frikësuar se do të na mbanin edhe ne brenda. Ka pasur edhe momete delikate, kam pasur probleme shëndetësore kur ishim në Zagreb dhe duhej të kthehesha me urgjencë për në Itali, por për fat nga Federata Shqiptare na qëndruan pranë dhe na kanë ndihmuar shumë, në çdo drejtim, duke siguruar edhe biletat e udhëtimit për në Itali.

Përfundimisht, sa të mëdha janë shpresat që Morina të lirohet?

Nuk ka mbaruar asgjë, por perspektiva është e mirë, kemi shpresa të mëdha. Më në fund po shohim dritë në fund të tunelit, edhe autoritetet kroate po e shohin ndryshe çështjen dhe me siguri që në Dubrovnik do të ketë një trajtim tjetër të Morinës, ashtu si ka ndryshuar sjellja ndaj tij që në vendin ku mbahet aktualisht. Përtej vonesës, rëndësi ka që Ismaili të kthehet në shtëpi dhe për këtë falënderojmë të gjithë ata që kanë dhënë ndihmë./SportExpres/

SHKARKO APP