Bashkia anonçon nismën “Tirana pa makina”, Veliaj: Në datën 22 qendra e qytetit kthehet në pedonale

Bashkia e kryeqytetit ka lajmëruar sot nismën “Tirana pa makina”. Ka qenë vet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ai që e ka promovuar i pari këtë nismë, ku i shoqëruar edhe nga përfaqsuesit e Ecovolis, ka përdorur sot biçikletën në vend të makinës për të sensibilizuar qytetarët që të përdorin sa më pak makinën e tyre në jetën e përditëshme, për t'i dhënë qytetit mundësinë e një jete më të shëndetshme. “Jam shumë i lumtur që sot fillojmë një javë fantastike për Tiranës, do të jetë java mobilitetit ku duam të promovojmë një jetë të shëndetëshme në Tiranë, njerëzve që ecin dhe që përdorin biçikletat. Më vjen mirë që bashkë me Eçovolis, atë që nisëm gjatë fushatës, duam që ta vazhdojmë edhe tani në Bashkinë e re të Tiranës”, – tha kryetari i Bashkisë për mediat lidhur me këtë nismë.

Ai ka bërë të ditur se nisma në fjalë do të shtrihet në një javë dhe përgjatë këtyre ditëve bashkia dhe organizatat e ambientaliste do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh që kanë për qellim që të nxisin qytetarët që të përdorin mjetet ekologjike për të lëvizur në Tiranë. “Në datën 22 shtator, ditën e martë, ne do të bllokojmë totalisht trafikun në qendër të Tiranës, brenda asaj që quhet unaza e vogël e Tiranës për të pasur një qendër të kryeqytetit pa makina”, – tha Veliaj.

Më tej ai ka sqaruar se ndërmarrja e kësaj nisme bëhet e domosdoshme për shkak të ndikimit negativ që ka në jetën e qytetarëve lëvizja me makina. “Për disa njerëz këto janë aksione simbolike, por dua që të argumentoj pak pse është jetike për qytetin e Tiranës ndryshimi i stilit të qytetit. Çdo vit në qytetin tonë 500 qytetarë humbasin jetën me problem në mushkëri nga problemet e ajrit. Kjo është një statistikë e frikshme. Kështu që ne këtë statistic e marrim shumë seriozisht. Çdo ditë në bashkinë e Tiranës lëvizin 140 mijë makina. Kjo do të thotë që ka njerëz që e marrin makinë n për të shkuar nga një kafe në një kafë tjetër. Kjo është totalisht e papranueshme”, – tha Veliaj. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Bashkinë e Tiranës është vendosur një stacion biçikletash, ndërsa ka urdhëruar zyrtarët e bashkisë që të përdorin më shumë biçikletat.

SHKARKO APP