Bashkia e Kavajës nis pastrimin e plazhit, Rama ”sulmon” Sakjën
Bashkia e Kavajës ka nisur pastrimin nga mbeturinat që kishin pushtuar plazhin e Golemit. Ky denoncim erdhi nga kryeministri Edi Rama, i cili teksa publikoi mesazhin e një qytetari, akuzoi ish-kryebashkiakun Isa Sakja se ka lënë pas dore qytetin për “kështjellën” e tij imagjinare.
“Vazhdon edhe falë pushuesve që nuk heshtin, çlirimi i zonës turistike të Golemit, nga plehrat që la pas si relike të lëvizjes antishtet, kryebashkiaku i Kavajës”, shkruan Rama teksa publikoi foto nga aksioni i pastrimit.
Në Rrogozhinë rreth 250 punonjës kanë pastruar ditën e sotme vijën bregdetare dhe zonën me pisha. Kryebashkiaku i ri e konsideroi si një masakër mjedisore atë çfarë ka konstatuar në ambjentet publike, të lëna nga paraardhësi i tij. Pastrimi i qytetit ka qenë një ndër detyrat e para që kanë bërë kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.