Bashkia e Tiranës, 46 gjoba për urbanët

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollin e linjave të transportit urban, për ofrimin e shërbimit në përputhje me kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Drejtoresha e Përgjithshme e AMK-së, Rudina Hoxha, në një prononcim për mediat, bëri të ditur se janë ngritur grupe kontrolli të cilat po punojnë me dy turne në terren, për të kontrolluar 12 linjat e transportit urban. Si rezultat i kësaj, ka pasur një përmirësim sidomos në respektimin e frekuencave në stacionet e autobusëve.

“Kontrolli është fokusuar në 10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Janë kushte të cilat të gjitha shoqëritë e transportit që operojnë në territorin e Tiranës i kanë të mirëpërcaktuara në kontratat e tyre. Nga dita e djeshme deri në mesditën e sotme, inspektorët e AMK-së kanë vendosur 46 gjoba”, u shpreh Hoxha.

Ajo garantoi se për çdo shkelje të kushteve të vendosura janë marrë masat dhe gjobat përkatëse. “Në momentin e vendosjes së gjobës, inspektorët ua kanë komunikuar këto gjoba përfaqësuesve ligjorë të kompanive të transportit, me qëllim që t’u bëhet e ditur shkelja e vendosja e gjobës dhe njëkohësisht t’u lihen dhe afatet e caktuara, për të korrigjuar këto shkelje mbi bazën e sanksioneve të vendosura”, tha Hoxha.

Sanksionet e vendosura nga AMK janë të përcaktuara me nivelet përkatëse të tyre sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2012. “Pas gjithë kontrolleve që po bëhen, janë lënë afatet e caktuara dhe në rast se nuk janë respektuar afatet dhe korrigjimi i këtyre shkeljeve, fillon përshkallëzimi i gjobave me të gjitha nivelet e tyre. Bashkia e Tiranës është e vendosur në këtë monitorim”, deklaroi drejtoresha e AMK. Ajo tha se ky monitorim do të vijojë me këto ritme dhe rezultatet do të jenë transparente për opinionin publik.

Më poshtë do të gjeni pyetjet e mediave dhe përgjigjet e drejtoreshës së AMK gjatë prononcimit të sotëm, si dhe informacionin e plotë për kontrollet e ushtruara nga Bashkia e Tiranës për përmirësimin e cilësisë së transportit urban.

Gjatë dy ditëve janë vendosur këto 46 gjoba apo vetëm sot?

Jo, nga dita e djeshme, deri në mesditë janë vendosur 46 gjoba dhe janë lënë detyra për të gjitha shoqëritë e transportit, për korrigjimin e gjithë shkeljeve që janë hasur pas vendosjes së këtyre gjobave.

U janë vënë shoqërive apo individëve, faturinos apo shoferit?

Ne ua vendosim shoqërive, sepse kontrata është e lidhur me shoqërinë dhe ajo është e detyruar më pas të marrë masa për të korrigjuar e riparë marrëdhënien e tyre me faturinon dhe personelin. Ne bëjmë monitorimin dhe normalisht për të gjitha sanksionet dhe shkeljet që vëmë re, vendosim këto sanksione.

Në këto 46 gjoba, për çfarë është vënë më shumë?

Kryesisht janë prekur të gjitha pikat, por numrin më të madh të gjobave e mban kondicionimi dhe gjobat që kanë të bëjnë me komoditetin e linjave, autobusëve.

Cila nga shoqëritë ishte më problematike?

Të gjithë këtë informacion e keni të pasqyruar. Për sa i përket kondicionimit janë vendosur 9 gjoba, të cilat janë vërejtur më shumë te linja e Saukut dhe Uzina Traktori.

Koha e lëvizjes, si ka qenë?

Ditën e djeshme janë matur disa herë në ditë frekuencat dhe normalisht një pjesë e mirë e linjave i kanë respektuar ato. Kjo vjen si rrjedhojë e faktit që këto linja kanë pasur në terren numrin e përcaktuar në kontratë të autobusëve. Pra, që të respektohen oraret e nisjes dhe mbërritjes duhet pasur parasysh që linjat duhet të kenë në terren të gjithë numrin e përcaktuar të autobusëve për të përmbushur këto kritere.

Informacion për kontrollet e ushtruara nga Bashkia e Tiranës lidhur me cilësinë e shërbimit në autobusët e transportit urban nga data 1.2.2016 – 2.2.2016 (deri në ora 11.00 sot):

  1. Frekuencat dhe orari i fillim/ mbarimit të shërbimit: 4 gjoba (Linja problematike Sharra, Uzina e Traktorit dhe Mihal Grameno);
  2. Stacionet e qëndrimit: 7 gjoba (Linjat problematike Unaza dhe Sauku);
  3. Shenjat identifikuese të linjave: 6 gjoba
  4. Sistemi i ngrohjes: 9 gjoba (Linja problematike Sauku dhe Uzina e Traktorit)
  5. Pastërtia e mjeteve: 7 gjoba (Linja problematike Porcelani, Sauku dhe Uzina e Traktorit)
  6. Uniformat e personelit: 4 gjoba (Linja problematike Sauku dhe Tirana e Re)
  7. Komunikimi i personelit dhe dhënia e biletave: 2 gjoba (Linja problematike Kombinat-Kinostudio dhe Mihal Grameno)

Gjithashtu, janë vendosur gjoba edhe për mosrespektim të kushteve të kontratës të shërbimit (këtu vlera e gjobës është më e lartë dhe shkon deri në 100.000 lekë të reja), si dhe 6 gjoba për mosplotësim komoditeti, si sedilje dhe dysheme e dëmtuara, xhama të thyer etj. (Linja problematike Unaza dhe Sauku)

GJITHSEJ: 46 gjoba me vlerë 386.000 lekë (të reja).

Ndërkohë, AMK-ja është në proces monitorimi edhe përsa i përket tregtimit të aboneve nga operatorët, pasi ka pasur ankesa nga qytetarët lidhur me abonetë e studentëve.

SHKARKO APP