Bashkia e Tiranës dhe kolegji “Turgut Ozal” mbjellin pemë ulliri

Në shenjë paqe e solidariteti, 14 fëmijë nga shtete të ndryshme, përfshi edhe Shqipërinë, të cilët ndodhen në Tiranë për të marrë pjesë në festivalin e tretë të gjuhës dhe kulturës, organizuar nga kolegji “Turgut Ozal”, mbollën sot në lulishten pranë ish-Fushës së Aviacionit në Laprakë, 14 bimë ulliri. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili duke u nisur pikërisht nga simbolika që mbart pema e ullirit, vlerësoi këtë akt si tepër domethënës për vazhdimësinë e marrëdhënieve dhe bashkëjetesës mes kombeve. 

“Duam ta gjallërojmë më tej këtë lulishte, duke mbjellë shumë pemë, të cilat janë jo vetëm dekorative, por janë edhe pemë që mbartin simbolika të caktuara, siç është ulliri, pema e jetës dhe e vazhdimësisë. Çdo herë, edhe në legjendat tona, mbjellja e pemës së ullirit është një ogur i mirë dhe besoj se ky ogur i mirë po fillon dhe këtu në këtë vend. Është kënaqësi e madhe që këto pemë po i mbjellim së bashku me djem dhe vajza të mrekullueshme, që kanë ardhur nga shumë vende të botës”, tha Hado.

Ndërkohë, drejtori i kolegjit “Turgut Ozal”, Mustafa Ustuner, pasi falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen që ka dhënë për këtë aktivitet, theksoi se studentët që marrin pjesë në këtë aktivitet përfaqësojnë 15 vende dhe kultura të ndryshme të botës. “Është edicioni i tretë i këtij festivali të gjuhës e kulturës. Ka shumë studentë që vijnë nga 15 vende të ndryshme dhe që do të performojnë talentin e tyre në skenë, ditën e shtunë në Pallatin e Kongreseve”, shtoi drejtori i “Turgut Ozal”, Mustafa Ustuner.

Grupi fëmijëve pjesëmarrës në këtë aktivitet, të veshur me kostumet e tyre tradicionale u pritën në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

SHKARKO APP