Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Drejtësisë marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin e provës
Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me zbatimin e dënimit alternativ për personat e dënuar që ta shlyejnë atë duke kryer punë për interes publik. Kjo nismë është një risi që do të pilotohet për herë të parë në Tiranë dhe marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo formë rehabilitimi është shumë herë më e pranueshme për të miturit, të cilët kështu mësojnë të bëjnë diçka të dobishme edhe për shoqërinë.
“Jemi shumë të lumtur nga qasja e ministrit Manja, për t’u larguar nga filozofia e vjetër e dënimit me burg për gjithçka, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit. Rehabilitimi është shumë herë më i pranueshëm dhe më civil sesa burgu. Në Tiranë kemi 3500 dënime, nga të cilat 700 janë me orë pune në komunitet. Nga kjo listë e gjatë për shlyerjen e dënimit, 700 qytetarë lirohen nga detyrimi që kanë ndaj shoqërisë dhe ligjit duke kryer diçka të dobishme, edhe për vetvlerësimin e tyre. Mezi pres që këto risi që kemi futur në Tiranë t’i çojmë edhe në qytetet e tjera, sidomos tani që fillon sezoni i plazhit sepse ka nevojë për pastrim, gjelbërim, mirëmbajtje etj”, tha kreu i Bashkisë.
Këtë vit që Tirana është “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dhe po zhvillohen mijëra aktivitete, kreu i Bashkisë tha se është një shans i mirë për të riintegruar këtë pjesë të shoqërisë. Veliaj shtoi se Tirana zhvillon çdo ditë aktivitete të shumta, që kanë nevojë edhe për vullnetarë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha kjo marrëveshje ka një përfitim të dyanshëm, si për qytetarët që duhet të kryejnë dëmimin e tyre, ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.