Bashkia e Tiranës: Rama bllokoi vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës

Bashkia e Tiranës akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar vendosjen e shtatores së ish-presidentit kosovar, Ibrahim Rugova. Sipas nënkryetares Nevila Xhindi refuzimi që i ka bërë këtij propozimi këshilli bashkiak ka qënë zvarim i urdhrit të Kryeministrit. Ajo e konsideori absurd dhe të turpshëm këtë vendim.

"Propozimi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha është refuzuar të merret në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak me urdhër të Edi Ramës, me pretendimin se i ka mbaruar mandati, por ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, në nenin 31 të tij, “për funksionimin e këshillit komunal ose bashkiak”, në pikën 1 të tij thekson se Këshilli Komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij, qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës", tha ajo.

Pra, refuzimi është thjesht dhe vetëm alibi, për të mos lejuar vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. mesa duket për Edi Ramën është më e rëndësishme të bllokojë kryebashkiakun Basha, se sa të nderojë, siç u takon personaliteteve të kombit shqiptar.

Për fat të keq, ky vendim absurd dhe i turpshëm është jo vetëm në vijim të bllokimeve politike por edhe shenjë mosvlerësimi ndaj figurës së Ibrahim Rugovës, në vazhdën e qëndrimeve shpërfillëse që Edi Rama ka mbajtur edhe më herët si për shembull në Kuvendin e Kosovës.

Bashkia e Tiranës u bën edhe njëherë thirrje këshilltarëve të majtë në detyrë të kryejnë detyrën e tyre qytetare dhe atdhetare, duke shpërfillur urdhrin politik të Edi Ramës dhe duke miratuar vendosjen e shtatores së presidentit Rugova dhe nderimin e këtij personaliteti të kombit shqiptar.

SHKARKO APP