Bashkia e Tiranës, sinjalistikë dhe vija të bardha në çdo rrugë shkolle

Bashkia e Tiranës ka nisur vendosjen e sinjalistikës rrugore në çdo shkollë për ndalimin e automjeteve që transportojnë nxënësit, si dhe vendosjen e vizave të bardhave.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, ishte sot e pranishme në shkollën “Vasil Shanto” nga ku njoftoi se në bazë të urdhrave të nxjerrë një ditë më parë nga kryebashkiaku Veliaj janë marrë masat e para për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ditën e hënë fillon viti i ri shkollor dhe Bashkia e Tiranës është e angazhuar për të siguruar ambientet ku lëvizin nxënësit e shkollave. Pranë shkollës ‘Vasil Shanto’ kemi vendosur tabelën për ndalimin e automjeteve që transportojnë nxënësit dhe njëkohësisht vijëzimin e rrugës së bardhë. Këto dy masa do të merren për të gjitha shkollat e Tiranës”, njoftoi Paskali.

Teksa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur ditën e djeshme dy urdhra që do të sjellë kufizimin e lëvizjes së furgonëve që transportit të mallrave për të lehtësuar trafikun ditor dhe njëkohësisht do të merren masa për rritjen e sigurisë së transportit të fëmijëve në shkolla.

“Për ne siguria e fëmijëve është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe mosvonesa e tyre në orët e mësimit është po aq e rëndësishme”, theksoi Brunilda Paskali.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha gjithashtu edhe se paralelisht me masat për sigurinë e fëmijëve në shkolla ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje përreth ambienteve të shkollave.

“Bashkia e Tiranës, ndërkohë do të vazhdojë aksionin për lirimin e hapësirave rreth ambienteve shkollore. Ashtu siç kemi filluar në njësinë 5 do të vazhdojmë të marrim masa për të gjithë lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të padrejtë rreth ambienteve shkollore”, nënvizoi Paskali.

Ndërsa paraditen e sotme, Inspektorati Urbanistik Vendor i Bashkisë së Tiranës ka ndërhyrë në shkollën “Sabaudin Gabrani”, ku ka prishur ndërtimet pa leje rreth godinës. Të gjitha ambientet e liruara do të rehabilitohen dhe do të kthehen në funksion të shkollave dhe për rritjen e sigurisë së nxënësve. 

SHKARKO APP