Bashkia Elbasan nis projektin “GreenElb” për një qytet të qëndrueshëm dhe neutral ndaj klimës
Në një hap të rëndësishëm drejt një Elbasani më të gjelbër dhe të qëndrueshëm, Bashkia Elbasan ka nisur projektin “GreenElb” në bashkëpunim me Urban Research Institute. Projekti synon të përmirësojë efikasitetin energjetik të ndërtesave private në lagjen Vullnetari, duke kontribuar në neutralitetin klimatik dhe përmirësimin e mjedisit urban.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu angazhimin për këtë nismë, duke theksuar se:
“Ky projekt është një hap konkret drejt një të ardhmeje më të gjelbër për Elbasanin. Me përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe nxitjen e sjelljeve të reja, ne jo vetëm që ulim ndotjen, por dhe përforcojmë qëndrueshmërinë e qytetit tonë. Jemi krenarë që Elbasani është pjesë e misionit të BE-së për qytete neutrale ndaj klimës dhe do të vazhdojmë të përkushtohemi në projekte të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.”
Gjatë këtij projekti do të zhvillohen disa hapa të rëndësishëm, si:
Vlerësimi dhe përmirësimet energjetike për të identifikuar dhe zbatuar masa që përmirësojnë efikasitetin energjetik të ndërtesave.
Mekanizma të qëndrueshëm të financimit për të lehtësuar kostot dhe për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve.
Politika inovative dhe nxitja e sjelljeve të reja për të mbështetur dhe motivuar qytetarët drejt një qasjeje më të përgjegjshme ndaj mjedisit.
Ndërtimi i kapaciteteve lokale përmes trajnimeve që fuqizojnë komunitetet për të përvetësuar praktikat e qëndrueshme.
Projekti “GreenElb” është një shembull i përkushtimit të Elbasanit për të qenë një qytet që ecën drejt të ardhmes së gjelbër dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.