Bashkia: Keqardhje, “hollandezi” Basha nuk e do Tiranën

 

 

Bashkia e Tiranës përmes një deklarate për shtyp ka reaguar ndaj akuzave të selisë blu në lidhje me çmimin e biletës së urbanit në kryeqytet. Në deklaratë shkruhet se pas dy javësh negociata me shoqatën e transportit, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për të mos e rritur çmimin e biletës së autobusëve urbanë, por vetëm për ta indeksuar atë, me normën e inflacionit të 8 viteve, si një masë e detyrueshme ligjore për të dalë nga situata e rënduar që u trashëgua në muajin gusht.

“Fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe iu fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin”, thuhet në reagimin e bashkisë.

Në të thuhet se, “pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër, sepse qytetin e drejtonte nga Holanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtjeje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s’pati kurrë guximin t’i ndërmerrte ato”.

“Ky njeri nuk e deshi kurrë qytetin e Tiranës dhe nuk e do zhvillimin e tij. Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit”, mbyllet reagimi i Bashkisë së Tiranës.

SHKARKO APP