Bashkia reagon për çelësin e stadiumit: Shkresa na erdhi 31 ditë me vonesë

 

Rama: “E vemtja gjë që mbaj mend dhe kam frikë se do ta mbaj mend gjatë nga bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës është se na u desh tre javë për të marrë çelësin e stadiumit për të filluar punën. Imagjinojeni vetë nëse duhen tre javë vetëm për të dorëzuar një çelës, sa u duhen këtyre për të dorëzuar një projekt”.

Kjo deklaratë e kryeministrit Rama gjatë tubimit elektoral mbrëmë në Shkodër ka sjellë sot edhe reagimin e Bashkisë së këtij qyteti.

Përmes një njoftimi për mediat, Bashkia e Shkodrës teksa mohon të jetë e vërtetë ajo çfarë tha Rama, thekson se kjo është një tentativë nga ana e tij për të mbuluar mangësitë e procedurave për fillimin e punimeve në stadiumin “Loro Boriçi”.

Bashkia sqaron më tej se “Më datë 1 prill, nëpërmjet mediave vihemi në dijeni për miratimin e lejes të rikonstrusionit të Stadiumit” Loro Borici”.Shkresa e Ministrisë së Zhvillimit Urban, që pëcjell vendimin e datës 1 prill, është hartuar me daten 30 prill 2015 dhe ka mbërritur dorazi në bashkinë Shkodër, diten e shtunë me datë 2 maj, një ditë përara se Kryeministri të bënte me 3 maj “Shoun e rradhës” , ate të inagurimit të punimeve të rikonstruksionit së stadiumit”.

Në përfundimit të reagimit, Bashkia e Shkodrës i kërkon Kryeministrit të jetë më serioz kur iu drejtohet qytetarëve shkodranë.

“Duke shpresuar se fajin mund ta ketë miratimi i lejes me datë 1 prill, si një datë që ka domethënien e vet , jo vetëm për shkodranët, por për mbarë popullin shqiptar , do t’i luteshim kryeministrit të vendit z. Edi Rama , që herë tjetër, kur ti drejtohet qytetarëve shkodranë, të jetë më serioz, të mos shpifë me argumenta të tillë fëminorë, e aq më shumë kur bëhet fjalë për një objekt të tillë, sic është stadiumi “Loro Borici” , një object që ka shkruar emrin e tij me germa të Arta, në Historinë e Sportit Shqiptar”.

SHKARKO APP