Bashkimi i PD? Noka: Asgjë e mbyllur nga ne, portat për grupin e Alibeajt janë ende të hapura

Edhe pse deri më tani bashkimi i PD-së nuk ka ndodhur, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka dha sinjale se bisedimet me grupin e Enkelejd Alibeajt për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale, nuk kanë përfunduar.

I ftuar në mbrëmjen e sotme në ”Frontline”, Noka tha se grupi i Alibeajt i ka dyert e hapura për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Ai shtoi se pret që të gjithë demokratët të marrin pjesë në protestën e 12 nëntorit.

”Alibeaj në protestë? Besoj do të jenë sepse nuk mund të ndodhë ndryshe. Ne me partinë e Lirisë jemi në një koalicion. Janë disa parti që presin të bëjmë marrëveshje. Do bëhet një front i gjerë. Koalicioni do të jetë i madh.

Nuk dua të besoj që asnjë nga kolegët e mi demokratë, të dalë nga vota e demokratëve të bëhet mercenar i Ramës. Jemi të hapur akoma. Asgjë nuk është mbyllur. Ka shpresa. Shpresojmë, presim.

Dyert nuk janë mbyllur, deri në ditët që të përballemi me regjimin, dyert i kemi jo 2 por 4 kanata hapur. Kurrë nuk është vonë nëse ka vullnet mes palëve. Jo ka lidhje vetëm me qëndrimin e Edi Ramës, regjimit të tij dhe me qëndrimin e jetën politike. Unë dua të besoj se ka vullnete, le të presim”.

SHKARKO APP