Bashkimi i PD-së, nënkryetari Boçi tregon prapaskenat
Sot u mbajt takimi i parë, mes dy grupeve të PD-së. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi deklaroi se bisedimet me grupin tjetër në këtë forcë politike janë duke përparuar. Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Boçi tha edhe se ka pasur rezultate nga këto bisedime, pasi disa deputetë janë afruar.
“Sinqeriteti ka të bëjë me ekzistencën apo jo të vullnetit politik, nuk jemi në rrafshin e marrëdhënieve njerëzore, por jemi në rrafshin e marrëdhënieve politike. Ai që duhet të dominojë është vullneti për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Në këtë rast, ne jemi duke bërë bisedime me deputetë që kanë mendime të ndryshme. Nuk kemi një grup të formatuar dhe brenda deputetëve ka diversione të ndryshme. Bisedimet tashmë janë në evolucion e sipër. Ne kemi biseduar dhe ka pasur edhe rezultate. Ka pasur deputetë që janë afruar, pra kemi korrur një lloj rezultati”.
Pas mbledhjes me grupin e PD-së, Enkelejd Alibeaj pohoi se partia duhet të dalë me një kandidat të vetëm, për çdo bashki në zgjedhjet e ardhshme vendore.