Bashkitë apel qeverisë për ndarjen e fondeve nga buxheti
Bashkitë e vogla kërkojnë rishikimin e formulës së transfertës së pakushtëzuar, për fondet që Qeveria i kalon pushtetit vendor. Mënyra aktuale e shpërndarjes së buxhetit, sipas kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, e bën të pamundur realizimin e investimeve apo pagesat e detyrimeve të prapambetura. Për këtë arsye ai kërkoi që ndarja e buxhetit të merret rast pas rasti për secilën bashki. “Nuk duhet parë projekt buxhetit si një formulë kokëfortë që nuk ndryshon, por duhet parë rast pas rasti të çdo bashkie. Ne nuk arrijmë dot të ndërtojmë as një investim me forcat tona”, tha Erion Isai, Kryetar i Bashkisë Kolonjë. Kryetarët e bashkive të vogla dhe të mesme deklarojnë se ndarja aktuale e buxhetit nuk mundëson zhvillimin e zonave të tyre, por nxit migrimin drejt qyteteve të mëdha.