Bashkitë “varen” nga taksa mbi pasuritë – Në 9 muaj, mblodhën rreth 11.4 miliardë lekë

61 bashkitë në vend arkëtuan nga burimet e veta rreth 20.7 miliard lekë për periudhën Janar-Shtator 2019, në rritje me rreth 20.5% në terma vjetorë.  Referuar raportit të financave vendore, të publikuar së fundmi,  të ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 13.3. miliardë lekë, në rritje me rreth 35.5% në terma vjetorë.

Performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall) të cilat së bashku përfaqësuan rreth 85.5% të të ardhurave nga taksat vendore apo rreth 11.4 miliardë lekë. Nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja u mblodhën 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 91.7% në terma vjetorë.

Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 4.2 miliardë lekë, në rënie të lehtë me rreth 0.7% në terma vjetorë. Peshën dhe kontributin kryesor në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme e japin të ardhurat nga taksa mbi ndërtesën. Sipas bashkive, rreth 45.6% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë ndërtesash në këtë territor. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 7.6% ndaj totalit për periudhën e konsideruar dhe bashkia Fier e treta me rreth 4.6% ndaj totalit.

Të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat regjistruan një nivel prej rreth 3.3 miliard lekë, në rritje me rreth 2.9% në terma vjetorë, mbledhur për rreth 49.2% në bashkinë Tiranë. Të ardhurat nga taksa mbi token bujqësore regjistruan një nivel prej rreth 354.2 milionë lekë, në rëne me rreth 22.7% në terma vjetorë, mbledhur për rreth 12.4% në bashkinë Fier.

SCAN

SHKARKO APP