Baza e ar*ëve në banesë, i arrestuari Deraj ka lidhje me Harizajn. Sna*peri dyshohet se u përdor në vr*sjen e Sinomatit

Një bazë armatimesh u zbulua të enjten në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës. Banesa shërbente si “magazinë” armësh dhe bie në sy fakti se është e rrethuar me kamera sigurie. Brenda banesës ndodheshin vetëm familjarët e Luçiano Derajt. Në katin e parë jetonin gjyshërit dhe babai i të riut, një ish-ushtarak që momentalisht punon si taksixhi.

Familjarët jashtë kamerave kanë thënë se në banesën dykatëshe, ku mësynë forcat speciale RENEA, u bë kontroll i befasishëm pa ndonjë urdhër paraprak kontrolli, siç lëshohet normalisht nga gjykata. Sipas tyre i arrestuari Luçiano Deraj (alias Albano Deraj) ishte ndaluar më herët një tjetër vend jashtë banesës, edhe pse në pamjet e publikuara nga policia e Vlorës, efektivët shihen duke i vënë prangat në një nga dhomat e shtëpisë.

Deraj dyshohet se i përket një grupi kriminal, i cili bashkëpunonte me të ndjerin Edison Harizaj (i njohur si Faqedjeguri) dhe një pjesë e tyre figurojnë të skeduar më dosjen e të zhdukurve në Vlorë. Sipas policisë pas vrasjes së Harizajt, Deraj dhe anëtarët e tjerë të grupit kanë rënë në sy për afërsinë me Ines Hajrullën, i cili ka rënë pre e disa atentateve përgjatë viteve të fundit, por edhe me fisin Llanaj.

Sa i përket arsenalit të armëve që përfshinte snajperë, pistoleta, kallashnikovë, fishekë, maska, çifte, radiomarrëse dhe mina me telekomandë, nënvizohet se ai është më i madhi i gjetur ndonjëherë në qytetin bregdetar. Për shkak të kalibrit 7.65mm, snajperi që është sekuestruar dyshohet është përdorur në ekzekutimin e fundit të ndodhur në Vlorë. Vrasja me snajper ndodhi më 7 janar në lagjen “Hajro Cakërri”, ku një predhë la të vdekur në vend 22-vjeçarin Gëzim Sinomati teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij.

SHKARKO APP