Baza e drogës sintetike dhe si e bënin përzierjen amerikanët
Pas finalizimit me sukses të operacionit “Oaz”, ku u shkatërrua grupi “Bajri”, një tjetër operacion është finalizuar nga blutë e kryeqytetit. Policia e Shtetit, së bashku me DEA-n amerikane, finalizuan operacionin e koduar “Sintetiku”, ku u bë e mundur arrestimi i dy shtetasve amerikanë që kishin ngritur në Tiranë një bazë të përpunimit të drogës sintetike.
Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Policisë Kriminale, Eduard Merkaj së bashku me Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnuik Muçi, theksoi se dy amerikanët u arrestuan në pikën kufitare të Morinës në tentativë për tu larguar nga Shqipëria. Në zbatim të letër porosisë të autoriteteve amerikane, si dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për zbatimin e saj, u bë e mundur arrestimi: Vincent (Dominic) De Caro, 29-vjeç, lindur dhe banues në New York, USA dhe Arber Isaku, 29-vjeç, lindur dhe banues në New York, USA.
“Në zbatim të letër porosisë të autoriteteve amerikane, si dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për zbatimin e saj, Departameti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n amerikane pas një pune të mirë organizuar finalizuan me sukses operacionin e koduar “Sintetiku”, ku u arrestuan 2 shtetas amerikane: Vincent (Dominic) De Caro, 29-vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; Arber Isaku, 29-vjeç, lindur dhe banues në New York, USA”.
Merkaj, bëri me dije se ndaj tyre Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” kjo vepër e kryer nëpërmjet “dark web”. Por si u zbuluan amerikanët? Sipas drejtorit të Policisë Kriminale, ata ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA dhe kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike. “Gjatë kontrollit në bazën ku fshiheshin dhe zhvillonin aktivitetin kriminal këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan mjetet dhe prekursorët që do të shërbenin për përgatitjen e drograve sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike. Ata u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria”,-tha Merkaj. Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjentë e DEA-s.
“Operacion dëshmon seriozitetin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për të luftuar krimin e organizuar, gadishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe rikonfirmoi edhe njëherë besimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe agjencive ligj zbatuese amerikane”,-pohoi më tej Merkaj. Prokurori i çështjes, Muçi për të treguar rëndësinë e këtij operacioni vuri në dukje këtë fakt: “Amerikanët ishin në kushtet e përgatijes së drogërave shumë të forta sintetike. Jemi shumë të rrezikuar nga ky fenomen”.
Çfarë është droga sintetike?
Droga sintetike, është lëndë narkotike që prodhohet nga vetë njeriu dhe ka përbërje kimike. Ajo konsumohet përmes pirjes së duhanit, edhe pse kohët e fundit në SHBA dhe Britani është konsumuar edhe në formë të lëngshme. Përdoruesit e saj ajo i bënë shumë të rrezikshëm dhe të pandjeshëm ndaj dhimbjeve. Përdoruesit e saj dalin të zhveshur pasi ndikimi saj është i lartë, ndërsa ka pasur një rast kur njëri ka bllokuar një autobus në mes të rrugës. Prej disa vitesh policia në Amerikë është vënë në ndjekje të arrestimi të këtyre personave të cilët përdorin një substancë të tillë por që eliminimi dhe kapja e tyre është e vështirë për shkak të fuqisë që iu jep K2. Drogat sintetike janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë varësi, çështje të rënda shëndetësore deri në vdekje.
KOHA JONË SONDAZH

