Bazhdari, padi penale Berishës

 

Kandidatja për kryetare Bashkie e shumicës së majtë, Keti Bazhdari i ka kërkuar sot Prokurorisë së Përgjithëshme të nis kallzim penal ndaj deputetit Sali Berisha “për konsumimin e veprës penale “Shpifje ndaj personit” bazuar në nenin 120 të Kodit Penal si dhe një padi civile për shlyerjen e dëmit civil në shumën 4 milion lekë..

Në një deklaratë për shtyp Bazhdari sqaron se padia ngrihet pas deklaratve të Sali Berishës në seancën plenare të datës 07 Maj 2015, ku Sali Berisha ka shpifur ndaj saj duke thënë si më poshtë:

“Meqënëse po sheh Bozhdarin, do ta them publikisht po ia them edhe njëherë. Pasura e saj është me tytë të revoles, po po edhe ndaj kujt, nda jkujt? Kujt ja mori Keti pasurinë? Si na lindi Keti pasunare e madhe, si na u bë e bija e një të përndjekuri? Po po po, të them unë ty, po me revole ndaj kujt o zotëri? Ndaj të dashurit të vet që e kishte me depresion…”.

Bazhdari thotë se kjo deklaratë është kryer me dashje direkte dhe me qëllim për të diskredituar në opinionin shoqëror nderin dhe dinjitetin e personit tim, me qellim per te influencuar ne menyre te paligjshme ne elektoratin e Bashkise Shkoder per zgjedhjet vendorete dates 21 Qershor 2015.

Padia penale e plote e Keti Bazhdarit kundër Sali Berishës

Drejtuar:               Kryeprokurorit të Republikës së Shqipërisë z. Adriatik LLALLA.

I Nderuar z. Kryerprokuror

Unë kallëzuesja, jam ortake dhe njëkohësisht Administratore e shoqërisë “BELLA CONFEX” sh.p.k, shoqëri kjo e themeluar në bazë të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë, fakt ky i konfirmuar edhe nga ekstrakti i regjistrit të shoqërisë tregtare i lëshuar nga Qëndra Kombëtare e Regjistrimit në Shqipëri (QKR).

Gjithashtu unë kallëzuesja, jam zgjedhur nga partitë e koalicionit të majtë edhe kandidate për kryetaren e Bashkisë Shkodër. Si rezultat i këtij kandidimi nga ana ime, jam bërë objekt i sulmeve apo etiketimeve nga subjekte të ndryshme politike, më i fundit ka qenë ai i bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, z. Sali BERISHA, në datë 07.05.2015, i cili nga foltorja e kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka bërë disa deklarata të pavërteta, ka shpifur, për emrin time, duke deklaruar se: “…ia kam marrë pasurinë të dashurit nën tytën e revoles”.

Deklara e tij e plotë ka qenë:

Meqënëse po sheh Bozhdarin, do ta them publikisht po ia them edhe njëherë. Pasura e saj ëstë me tytë të revoles, po po edhe ndaj kujt, ndaj kujt? Kujt ja mori Keti pasurinë? Si na lindi Keti pasunare e madhe, si na u bë e bija e një të përndjekuri? Po po po, të them unë ty, po me revole ndaj kujt o zotëri? Ndaj të dashurit të vet që e kishte me depresion…

Me anë të këtyre deklaratave, shprehjeve dhe përdorimit të togfjalëshave të cilët përhapin informacione të rreme për të etiketuar apo dëmtuar imazhin e një njeriu janë kthyer në aktivitete “dëfryese” për këdo i cili injoron faktin se ato mund të shkaktojnë, ne kontekstin shoqëror, një influencë negative mbi opinionin e formuar ndaj individit i cili bie pre e kësaj vepre penale – shpifje. Kjo deklaratë është kryer me dashje direkte dhe me qëllim për të diskredituar në opinionin shoqëror nderin dhe dinjitetin e personit tim.

Dinjiteti i njeriut të drejtat dhe liritë e tij, janë baza e çdo shteti, i cili ka për detyrë t’i respektoj dhe t’i mbrojë ato.

Botërisht është e përcaktuar se përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Shpifja është një vepër tipike e manifestimit të mendimit dhe që karakterizohet nga përhapja e informacioneve apo thënieve të cilat dihet se janë, jo të vërteta apo të bazuar në fakte të provuara, pra janë gënjeshtra, të artikuluara nga mëndja e individit, i cili kërkon të dëmtoj figurën e atij ndaj të cilit i drejton këto shprehje.

Si sjellje kriminale, shpifja, përshkruhet si një shpifje faktuale, pra ajo lidhet në mënyre të drejtpërdrejtë me përhapjen e informacioneve që dihet që janë jo të vërteta dhe si pasoje dëmtuese të dinjitetit, nderit, dekorit dhe personalitetit të individit, ndaj kujt ato drejtohen. Kjo sjellje penalisht e dënueshme përshkruhet si një “fyerje e reputacionit”.

Duke marrë parasysh faktin se nga ana e shtetasit, Sali BERISHA, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, janë përhapur shpifje, informacione të pa vërteta dhe të pa bazuara me qëllim prishjen e imazhin dhe cënimin e nderit të emrit tim, të krijuar me shumë punë dhe mund në gjithë këto vite, duke u nisur nga sa sqaruam më sipër, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon:

“Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”,

Nga interpretimi i nenit 120 të Kodit Penal, rezulton se, ligjvënesi ka parashikuar një mbrojtje të posacme juridike të nderit dhe dinjitetit të personit, vlerësimit që ka opinioni shoqeror dhe komuniteti për nje person të caktuar. Cënimi i këtyre marrëdhënieve passjell përgjegjësi penale.

Objekti i kësaj vepre penale, janë marrëdhëniet juridike që janë vendosur për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e cdo personi, dhe në rastin konkret, ndërin dhe dinjitetin tim si qytetare dhe si candidate për kryetare e bashkisë Shkodër.

Nga ana subjektive, kjo veper penale është kryer me dashje direkte. Ajo është kryer në formën e përhapjes së qëllimshme të thënieve, duke e ditur se janë të rreme, me qëllimin e vetëm për të cënuar nderin dhe dinjitetin tim si person. Keto thënie janë bërë botërisht cka tregon për një rrezikshmëri të madhe shoqërore.

Subjekti i veprës penale, është person madhore dhe i përgjegjshëm para ligjit.

Ne rastin konkret, deputetit Sali Berisha ka konsumuar plotësisht këto elementë të kundravajtjes penale te “Shpifjes”, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal. Ai me veprime të drejtpërdrejta, me dashje direkte, ka deklaruar në publik përpara mediave, dhe duke keqpërdorur funksionin e tij si deputet, ka përhapur thënie të rreme, dhe të pavërteta kundrejt meje, duke cënuar në mënyre të hapur dhe botërisht, nderin dhe dinjitetin tim. Këto shpifje i ka bërë me qëllim për të ndikuar opinionin publik, qe të krijojë për mua një vlerësim të keq dhe të ulët, ndryshe nga sa jam, dhe si me njeh opinioni publik.

Kërkoj

  • Fillimin e procedimit penal për shpifjen, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

Po ashtu Bazhdari ka ngirtur ndaj Berishës një padi civile bazuar në nenin 625§1/a të Kodit Civil, ku parashikohet shprehimisht se: “Personi që pëson një dëm, të ndryshëm nga ai pasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet kur: a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit ose është cenuar në nderin e personalitetin e tij”.

Nisur nga sa parashtruam më sipër por edhe në provat dhe argumentet shtesë që do të paraqesim në gjykim për të vërtetuar sa më sipër, kërkojmë:

Detyrimin e shtetasit Sali BERISHA, të shpërblejë paditësen në vlerën 4000000(kater milion) për dëmin jo pasuror të shkaktuar si rezultat i deklaratave të tij të rreme.

Paditësja

Keti BAZHDARI

 

SHKARKO APP