Bazo: Helikopteri u ble në nëntor 2015, pilotët të trajnuar jashtë

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka bërë publike detajet zyrtare sa i përket aksidentit të ndodhur ditën e sotme në Malësi të Madhe.

Referuar rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Jeronim Bazo tha se gjatë një fluturimi stërvitor rutinor dhe të planifikuar më parë.

“Helikopteri i tipit ‘EC-145’ kishte në bord në ekuipazh kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtarin Gerald Baramuça. Me keqardhje më duhet të bëj me dije se kapiteni dhe togeri kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë i ekuipazhit po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën”,- tha gjeneral Bazo.

Sipas tij, FA-të kanë humbur dy ushtarakë dhe pilotë të talentuar.

“Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë përsonelit me uniformë ose jo përcjellim ngushëllimet e sinqerta për familjarët. Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar të gjitha forcat për të hedhur dritë se në çfarë rrethanash ka ndodhur ky aksident”,- tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, helikopteri i tipit “EC-145” është futur në përdorim në nëntor të vitit 2015 dhe janë marrë si pjesë e Forcave të Armatosura përmes kontratave të rregullta.

“Itinerari i flutirimit ishte brenda trajektores së miratuar, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim-shpëtimit. Të dy pilotët ishin të trajnuar brenda dhe jashtë vendit”,- deklaroi Jeronim Bazo.

Ai ka kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve, që të presin derisa aksidenti në fjalë të zbardhet si rezultat i hetimeve.

Deklarata e plotë e Shefit të Shtabit

Është një dalje jo e zakontë kjo e sotmja, është një dalje që nuk do ta dëshironte askush.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se gjatë një fluturimi rutinë stërvitor  të planifikuar dhe miratuar më parë, një helikopter i Forcave Ajrore është aksidentuar në rajonin Grizhë të Malësisë së Madhe.

Helikopteri EC 145 me numër bordi 637 kishte në bord 3 ekuipazh, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuça.

Me keqardheje më duhet të bej me dije se dy nga anëtarët e ekuipazhit,  kapiten Florian Deliaj dhe  toger Donald Hoxha kanë humbur jetën, ndërsa i treti, ushtar profesionist Gerald Baramuça po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Forcat e Armatosura kanë humbur dy ushtarakë të devotshëm, dy pilotë të talentuar që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët. Në emër të Mistrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe gjithë personelit të FA përcjellim ngushëllimet tona më të ndjera për familjet e të rënëve në krye të detyrës, ndërkohë që i urojmë shërim të shpejtë të plagosurit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë të menjëherëshme kanë angazhuar të gjitha burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi  rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti tragjik.

Janë shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që t’i japim kohën e nevojshme procesit të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes për të cilat jemi të gjithë të interesuar.

Pyetje përgjigje

A ka dalë helikopteri nga trajektorja?

Helikopteri EC-145 është futur në përdorim të FA në nëntor të vitit të kaluar. Të dy helikopterët EC-145 sapo janë marrë nga FA, në bazë të kontratave disavjeçare tashmë dhe ishin brenda kësaj periudhe fluturimi. Ndërkohë sikundër e thashë më lart, itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores, itinerarit të miratuar gjatë një stërvitjeje fluturimi rutinë, apo siç e quajmë ne, fluturim për njohje, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim – shpëtimit. Ky ishte qëllimi i fluturimit.

Sa vite eksperiencë kishin pilotët dhe cili dyshohet se ka qenë shkaku?

Dy pilotët janë me një përvojë të lavdërueshme, të kënaqshme, të trajnuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit. Do t’ju kërkoja mirëkuptimin tuaj pasi në të tilla raste të ngjashme kudo në botë, kërkohet një kohë e domosdoshme maturie, saktësie profesionale për të hedhur dritën e duhur mbi incidentin në fjalë. Ne ju premtojmë në çdo kohë që do të kemi informacionet e duhura, do t’i ndajmë me publikun e interesuar dhe opinionin në Republikën e Shqipërisë, të cilët njësoj si ne, jam i sigurt, ndajnë të njëjtin hidhërim, respekt dhe mirënjohje për punën e lavdërueshme të pilotëve.

A i është nënshtruar kontrollit teknik helikopteri?

Është ende herët, pritet të mblidhen të dhënat e duhura dhe maturia e domosdoshme që kërkohet në këto raste, si kudo në ngjarje të tilla në botë. Përsa i takon kontrolleve, gjithçka është bërë brenda rregullave të fluturimit dhe të përgatitjeve përkatëse që bëhen në këto raste.

SHKARKO APP