BBC: Irani nuk veproi i vetëm në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë
Disa muaj pasi e-Albania u sulmua, kryeministri Edi Rama tha se goditja kibernetik ndaj institucioneve shqiptare ka ardhur nga Irani. Por gjigandi mediatik ”BBC”, shkruan se Irani nuk veproi i vetëm në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania.
”BBC” kujton sesi firma amerikane e sigurisë kibernetike Mandiant, doli në përfundimin se në këtë goditje ndaj Shqipërisë ishin përfshirë “një ose më shumë aktorë që kanë vepruar në mënyrë kërcënuese në mbështetje të qëllimeve iraniane”.
Mandiant vuri në dukje se ndërprerja e shërbimeve ndodhi vetëm disa ditë përpara mbajtjes së samiti të organizuar nga opozita e Iranit, në zonën e Manzës në Durrës. Eventi u shty pas paralajmërimeve për kërcënime “terroriste”.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, që dënoi sulmin ndaj Shqipërisë, nënvizoi se aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte.