BBC: Trupi ynë, një mozaik kërpudhash që ndoshta ndikon edhe në trurin tonë
Në trupin tonë jetojnë miliona forma të jetës që shpesh i harrojmë, duke bashkëjetuar me ne në heshtje. Prej kohësh kemi mësuar të flasim për bakteret dhe viruset si pjesë e pandashme e ekosistemit tonë të brendshëm, por një tjetër botë mikroskopike, po aq misterioze sa edhe e pazbuluar plotësisht, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e shkencës: kërpudhat.
Ky material i BBC-së hedh një dritë të re mbi rolin që kërpudhat kanë në trupin tonë, jo vetëm si pjesë e mikrobiomës, por edhe si faktorë që mund të ndikojnë në trurin, në mendimin dhe në sjelljen tonë. Përtej imazheve fantashkencore të filmave dhe serialeve, ky raportim sjell një panoramë të gjerë kërkimore mbi misteret e këtyre mikroorganizmave të heshtur që mund të jenë shumë më të rëndësishëm për shëndetin tonë sesa kemi menduar ndonjëherë.
Në çdo centimetër të trupit tonë fshihet një botë mikroskopike e gjallë, ku, përveç baktereve dhe viruseve, bashkëjetojnë edhe miliarda kërpudha të padukshme. Lëkura jonë është një mozaik i tyre, membranat e hundës dhe të vaginës janë të mbushura me to, dhe madje edhe zorrët tona strehojnë bashkëjetesën e tyre me bakteret.
Ne i marrim disa prej këtyre kërpudhave që në lindje, nga nënat tona, por gjatë gjithë jetës organizmi ynë është një portë e hapur: përthithim spore kërpudhash me çdo frymëmarrje dhe gëlltisim maja sa herë që pimë birrë apo hamë bukë. Një pjesë e madhe shkatërrohet nga sistemi imunitar, por të tjera mbeten si pasagjerë të heshtur, disa të përkohshëm, të tjera të përhershme.
Në vitet e fundit, studiuesit po zbulojnë një kapitull të ri intriguese: ndikimin që këta banorë kërpudhorë mund të kenë mbi trurin, mendjen dhe sjelljen tonë. Mjekët e dinin se kërpudhat mund të shkaktojnë infeksione të rrezikshme në tru, por tashmë po shfaqen të dhëna – ndonjëherë të debatueshme – që ato mund të kontribuojnë në sëmundje neurodegjenerative, madje edhe në çrregullime të shëndetit mendor.
Ideja sjell ndërmend skenarë fantastiko-shkencorë si seriali “The Last of Us”, ku një kërpudhë imagjinare merr nën kontroll trupin e njerëzve. Shkencëtarët nuk shkojnë deri aty: një kontroll total është i pamundur. Por ata po pyesin seriozisht nëse kërpudhat e zorrëve ndikojnë tek sjellja, ose nëse kërpudhat që përfundojnë në tru mund të kontribuojnë në sëmundje si Alzheimeri.
“Njeriu është i pajisur me një rezistencë të natyrshme ndaj kërpudhave,” shpjegon mikrobiologu Matthew Olm nga Universiteti i Kolorados, “dhe shumica e atyre që arrijnë të mbijetojnë mund të jenë madje të dobishme, duke ndihmuar sistemin imunitar apo procesin e shërimit të plagëve. Kërpudhat janë padyshim pjesë kritike e të qenit një njeri i shëndetshëm.”
Por kërpudhat e gabuara, në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, mund të bëhen fatale. Infeksionet kërpudhore të trurit, edhe pse të rralla, janë rritur vitet e fundit për shkak të pacientëve me imunitet të dobësuar nga HIV, trajtime kundër kancerit apo transplantet. Një pjesë e këtyre kërpudhave, si Aspergillus ose Cryptococcus, mund të futen nga mushkëritë në tru dhe të shkaktojnë dëme të mëdha, shpeshherë me një shkallë vdekshmërie mbi 90%.
Ajo që trondit shkencëtarët është mundësia që kërpudhat të ndikojnë jo vetëm si patogjenë, por edhe në mënyra më të holla: të provokojnë inflamacion, të modifikojnë sinjale nervore dhe, në disa raste, të ndikojnë në sjellje. Studime të fundit tregojnë se, tek minjtë, prania e kërpudhave në zorrë lidhet me një komunikim më aktiv dhe më shumë ndërveprim social. Një mister që hap një fushë të re kërkimi mbi atë që quhet “boshti zorrë-tru” – ku nuk janë vetëm bakteret në lojë, por edhe kërpudhat.
Edhe çrregullimet mendore po marrin vëmendje të re në këtë dritë. Disa studime kanë zbuluar ndryshime në përbërjen kërpudhore të zorrëve tek pacientët me depresion apo skizofreni. Në disa raste të rralla, trajtimi i infeksioneve kërpudhore ka sjellë përmirësim të simptomave të demencës. Janë ende hipoteza të hershme, por shumë premtuese.
“Jemi në një fazë ku dyshimet dhe provat e shpërndara po bëhen të mjaftueshme që kjo fushë të kërkojë vëmendje më të madhe dhe investim serioz kërkimor,” thotë Olm. “Kërpudhat janë padyshim të rëndësishme, por mënyra se si ato janë të rëndësishme është ende një histori që po shkruhet.”
Një gjë është e sigurt: ndërsa për dekada mikrobioma jonë është parë thuajse vetëm përmes lenteve të baktereve, koha e kërpudhave ka ardhur. Ndoshta ato, në heshtje dhe fshehtas, po formësojnë shëndetin tonë shumë më tepër sesa mund ta imagjinojmë.
Përgatiti: Albert Vataj / Koha Jonë – bazuar në raportimin e Katarina Zimmer për BBC
https://www.bbc.com/future/article/20250716-how-fungi-residing-in-our-bodies-could-influence-our-minds-and-brains
KOHA JONË SONDAZH

