BE e shqetësuar për informalitetin, ambasadorja Hohmann: Duhen procedura transparente
Bashkimi Evropian vijon të mbetet i shqetësuar për informalitetin dhe klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Nga Forumi i Klimës së Biznesit, Ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann theksoi se krahas progresit çrrënjosja e korrupsionit, promovimi i konkurrencës së drejtë si edhe promovimi i procedurave transparente të prokurimit publik vijojnë të jenë pika të nxehta.
Edhe drejtuesi i Shoqatës së Investitorëve të huaj në Shqipëri, Alessandro d’Oria tha se vendi ynë ka ende punë për të bërë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, por tha se është shtuar numri i investitorëve të huaj që kanë interes për Shqipërinë.
Nga ana tjetër qeveria shqiptare ka nisur punën për hartimin e politikave të reja mbështetëse për bizneset. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj theksoi rëndësinë e strategjive afatgjata, duke përfshirë aftësimin e kapitalit njerëzor dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, me qëllim digjitalizimin e shërbimeve në tregun e punës.
Këtë vit investimet e huaja direkte kapën vlerën e 388 milionë eurove, duke shënuar rritje me 28%, krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kryeson Holanda. Investimet holandeze vitin e kaluar arritën vlerën e 219 milionë eurove, ose 16% të fluksit total të investimeve të huaja.