BE flet për ”Open Balkan”: Përfitimet do të vinin me përfshirjen e vendeve të tjera

”Open Balkan”, një nismë rajonale mes tre shteteve, për Bashkimin Europian nuk është e plotë, por unioni ka mbështetur deklaratat e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhejli. Ana Pisonero, njëra nga zëdhënëset e Komisionit Europian, thotë se Integrimi Rajonal që bazohet në rregullat e BE-së, i sjell vetëm përfitime Ballkanit Perëndimor.

Për të kjo është arsyeja pse BE-ja kujdeset fort për bashkëpunimin rajonal. “Mungesa e progresit në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka penguar përfitime të rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët”, thuhet në përgjigjen e BE-së për ”Telegrafin”. Nga ana tjetër, BE-ja thotë se mirëpret që pjesëmarrësit të jenë të përkushtuar për të promovuar integrimin më të madh rajonal.

“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha do të vinin nga gjashtë shtetet e Ballkanit. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun e vetëm të BE-së”, tha zëdhënesja e KE-së.

SHKARKO APP