BE/Kalvari i gjatë i Ballkanit

Bashkimi me Europën rezulton të jetë një kalvar i gjatë dhe i lodhshëm për vendet e Ballkanit. Shembulli më i mirë i një rrugëtimi pa krye është Turqia, aspirante që prej 1999-s. Negociatat për anëtarësimin e plotë nisën në tetor të 2005-s. Ujdia për refugjatët mes Ankarasë dhe Brukselit në 2016-n i përshpejtoi negociatat pas një stanjacioni të mëhershëm, dhe turqit u lejuan të udhëtojnë pa viza. Që prej atëherë negociatat kanë ngecur, e tani duket të jenë në pikë të vdekur.

Serbia ka qenë në axhendën e zgjerimit që prej 2011-s, kur u bë kandidat për anëtarësim. Negociatat u çelën në 2014 dhe pavarësisht se vendi konsiderohej ndër favoritët, raporti i qershorit nuk ishte pozitiv. Pritshmëritë ishin se Beogradi do të bëhej pjesë e familjes në 2025-n, por Brukseli nuk po ia del ta detyrojë Serbinë të shohë në sy, makthin më të keq, atë të pavarësisë së Kosovës. Mungesa e progresit në dialogun mes dy vendeve po përdoret edhe kundër Prishtinës. Kosova bashkë me Bosnjë Hercegovinën nuk kanë as statusin e vendeve kandidatë. Demarkacioni me Malin e Zi ishte mes kushteve kryesore të liberalizimit, por pavarësisht miratimit me jo më pak dhimbje në 2018-n, liberalizimi nuk erdhi.

Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi u çelën në 29 qershor të 2012-s. Por Brukseli nuk bindet nga standardet e ulëta dhe institucionet e dobëta. Megjithatë objektivi për t’iu bashkuar unionit në 2025-n, konsiderohet më real se në rastin e Serbisë. Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat që prej 2005-s. Mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e emrit u kthyen në barrierën kryesore për progres. Megjithëse Shkupi vulosi me dhimbje kompromisin për të ndryshuar emrin, duket se do të jetë viktima më e pastër e mosmarrëveshjeve brenda Bashkimit Europian. /A2Cnn/

SHKARKO APP