BE mobilizon mbështetje shtesë për emergjencën e krijuar pas tërmeteve vdekjeprurëse

Pas tërmetit me fuqi 6.3 ballë dhe pas-goditjeve të shumta që tronditën Shqipërinë që nga 26 Nëntori, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian (BE) është aktivizuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. BE ndihmoi në mobilizimin e tre ekipeve nga Greqia, Italia dhe Rumania për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit.

Më 28 nëntor, autoritetet shqiptare aktivizuan përsëri Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE, duke kërkuar inxhinierë të strukturës me qëllim vlerësimin e dëmeve në ndërtesa. Italia dhe Greqia janë ofruar për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.

Përveç kësaj, Ekipi i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së po punon ngushtësisht me autoritetet vendore dhe donatorët për një vlerësim të konsoliduar të nevojave, me përparësi dhënien e ndihmës në materiale. Mbrëmjen e djeshme, Delegacioni i BE-së kryesoi një takim me shtetet anëtare të BE-së, vendet jo anëtarë të BE që marrin pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, si dhe partnerët e organizatat ndërkombëtare (agjencitë e OKB, USAID etj.), mbi reagimin ndaj emergjencës.

“Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Shqipërinë në këtë kohë të vështira. Ne do të ofrojmë ndihmë në këtë emergjencë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekipet e kërkim-shpëtimit, të mobilizuara përmes Mekanizmit Europian për Mbrojtjen Civile, janë në terren. Do të doja të falënderoja Italinë dhe Greqinë që tashmë ofruan mbështetje shtesë përmes Mekanizmit,” – tha Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca deklaroi sot “Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij janë duke qëndruar përkrah Shqipërisë dhe po punojnë pa ndalim për të ofruar ndihmë në këtë moment shumë të vështirë. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE dhe dhjetë Shteteve Anëtare të BE, janë aktualisht në terren për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore. Është një javë pikëllimi të thellë dhe tragjik për Shqipërinë. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë edhe një herë për popullin shqiptar dhe veçanërisht për familjet, miqtë dhe komunitetet e atyre që kanë humbur jetën.”

“Bashkimi Evropian ka dërguar një Ekip për Mbrojtjen Civile, i cili po ndihmon autoritetet të koordinojnë reagimin tonë dhe të vlerësojnë dëmet. Qëllimi ynë është të ndihmojmë popullin shqiptar që vuan pasojat e këtij tërmeti”, tha Drejtuesi i Skuadrës së Mbrojtjes Civile të BE-së Peter Glerum. Ekipi Evropian për Mbrojtjen Civile e ka bazën e tij në Delegacionin e BE në Tiranë dhe përbëhet nga ekspertë nga Austria, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar. Dy ekspertë nga Vlerësimi dhe Koordinimi i fatkeqësive të OKB (UNDAC) janë gjithashtu pjesë e komanduar e këtij ekipi.

Sistemi evropian “Koperniku” prodhon rregullisht imazhe satelitore të zonave të prekura me qëllim për të asistuar në dhënien e ndihmës në terren. Qendra e Koordinimit për Reagimin në Emergjenca të Bashkimit Evropian me regjim 24/7, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe vazhdon të monitorojë situatën.

SHKARKO APP