BE nuk liron ”pengjet” e Bullgarisë
Nga: Redjon Shtylla
Muri që mban të ndarë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian, nuk është vetëm Bullgaria, qeveria e së cilës u rrëzua dje në Kuvend. Në Samitin mediatik të BE-së në Bruksel, drita jeshile nuk ka kurëkundi, jo vetëm për çeljen e negociatave, po as për heqjen e vizave për Kosovën.
”Arsyeja nuk është thjesht Bullgaria, është fryma e deformuar e zgjerimit. Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Turp një vend i NATO-s, merr peng dy vende të NATO, ndërkohë që në oborr të europës ka një luftë dhe 26 vende janë të pafuqishëm. Putin është shumë sëmurë, mund të jetë shumë mirë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm”, tha kryeministri Edi Rama.
27 liderët e Bashkimit Europian, diskutuan me tensione të ngritura me kolegët e tyre nga rajoni, ku fokusi i diskutimeve ishte mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Tensionet nuk munguan, pasi edhe një konferencë e parashikuar mes presidentit Francez, Macron, presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Charles Michel presidenti i Këshillit Europian është anuluar pa dhënë arsye.
Po ashtu Rama u shfaq i nervozuar gjatë kohës që liderët po bënin foton familjare. Rama ishte në krah të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Nuk dihet se përse kreu i qeverisë është kaq i nervozuar, mirëpo Macron po e dëgjon me vëmendje.
Kështu ishte edhe ky Samit që vijon edhe nesër, por boja i doli sot. Sërish nuk dihet se kur do të jepet OK-ja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ose tashmë vendet do të përqëndohen më shumë tek nisma tjetër rajonale, ”Open Balkan”.