BE: Shqipëria përfundon negociatat në 2027

Brukseli ka konfirmuar objektivin që negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë të mund përfundojnë deri në fund të vitit 2027. Ky objektiv u paraqit edhe nga qeveria shqiptare pak ditë më parë.

”Do të jetë një fitore e madhe për Shqipërinë, por edhe për ne, kur ky shtet të anëtarësohet në familjen evropiane. Besoj se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2027. Shqipëria ka ecur me hapa pozitive përpara në rrugën e reformave. Duhet që arritjet e Shqipërisë të merren si shembull nga shtetet e tjera të rajonit”,-tha Komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos.

Në fjalën e saj para eurodeputetëve, ajo u shpreh edhe se zgjerimi është një katalizator për reformën e brendshme të BE-së. Sipas saj, pa përshtatur funksionimin e institucioneve të BE-së dhe mënyrën e vendimmarrjes, do të jetë e vështirë të realizohet një zgjerim më i madh.

E pyetur nga deputetët bullgarë për qëndrimin e qeverisë së re maqedonase për të mos përfshirë pakicën bullgare në kushtetutë, Marta Kos shpjegoi se BE pret që Shkupi ta ndryshojë Kushtetutën siç kishte rënë dakord qeverisja e kaluar. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal është kyç në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

SHKARKO APP