Beleri del të hënën para Gjykatës, DASH kërkon që të zbardhet çështja
Fituesi i zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i cili u arrestua dy ditë para 14 Majit për vjedhje votash, do të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme. Dosja i ka kaluar SPAK dhe të hënën në orën 13:00 do të mbahet seanca e parë në GJKKO. Gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri.
Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, do të qëndroj në masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Vlorës, e cila pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore tashmë kalon në SPAK.
Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë. E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Beleri pretendon se kur u arrestua nga agjentët e policisë, ishte me të afërm të tij dhe se me lekët nuk kishin qëllim blerjen e votave.
Çështja ka shkuar deri në senatin amerikan. Gjatë një seance dëgjimore mbi angazhimin amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet, tha se kishin kërkuar nga ambasada amerikane në Tiranë të paraqesë një tablo të qartë të asaj që ka ndodhur.
Ai reagoi pas ndërhyrjes së senatorit demokrat Bob Mendez, i cili u shpreh i shqetësuar për arrestimin nga policia shqiptare, dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Fredi Belerit, përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri.