Beleri dhe Goro në burg, një grua merr frenat e Himarës?
Me kryetarin fitues dhe me kryetarin në detyrë, që të dy në burg, Këshilli Bashkiak i Himarës pritet të mblidhet më 29 mars dhe të vendosë se cili prej dy nënkryetarëve, Blerina Bala apo Pervin Gjikuria do të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja.
Socialistët kanë shumicën në këshillin bashkiak të Himarës, 13 vota kundrejt 8 të opozitës dhe burime bëjnë me dije po ashtu se Blerina Bala është pretendentja kryesore për të drejtuar bashkinë deri në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit.
Bashkë me Goron janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve janë lënë në “arrest shtëpie”. Goro është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku u shoqërua për t’u dërguar në gjykatë. Ndërkohë në GJKKO u paraqit ish kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka.
Goro u prangos pasi po hetohet me dyshime se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i PS.