Beleri do lirinë, Apeli i Përgjithshëm ia kalon çështjen GJKKO-së
Edhe pse fitoi në zgjedhjet e 14 Majit në bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ndodhet në burg që prej datës 12 maj, pasi akuzohet se ishte duke blerë vota. Por mësohet se ai ndodhet me prej 2 ditësh në spitalin e burgut, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Apeli i Përgjithshëm në Tiranë nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për të konsideruar si të paligjshëm arrestimin e tyre nga policia e Vlorës dhe ndryshimin e masës së sigurisë të marrë nga Gjykata e shkallës së parë Vlorë. Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ia kaloi çështjen për kompetencë GJKKO-së.
Beleri ka angazhuar avokatët e tij mbrojtës që të bëjnë çdo përpjekje për të fituar lirinë. Fredi Beleri u bë kryebashkiaku i parë në historinë e zgjedhjeve vendore në vendin tonë që zgjidhet teksa ndodhet i mbyllur në qeli. Por fati i tij tani që u zgjodh, edhe pse vetëm me 19 vota, është shumë i paqartë. Si do të procedohet për të dhe a do të arrijë të ulet në ‘fronin’ e kryebashkiakut të Himarës?