Beleri flet për Ramën dhe protestën: Unë votova sot rezolutën
I rikthyer në Shqipëri si eurodeputet, Fredi Beleri sulmon kryeministrin Rama, teksa flet edhe për takimin e munguar në Tiranë. Sipas tij takimi me kreun e qeverisë shqiptare ishte në agjendë, por thotë se nuk e di dhe nuk ka rëndësi pse nuk u realizua.
”Ishte në agjendë, para dy-tre ditësh. Dje nuk u bë takimi, por nuk e di dhe nuk ka rëndësi se puna që duhet të bënte delegacioni në BE u krye. Unë kam takuar miqtë e mi. Kam bërë takime informale”, tha ai për A2 CNN. Sikurse kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, edhe Fredi Beleri i cilëson sulmet me vezë dhe kos ndaj tij si reagime me skenar dhe regji dhe thotë se nuk i priste. ”Nuk i prisja këto reagime. Nuk ishin rastësore, kishin një skenar e regji. Regjisori i bën dëm Shqipërisë. Unë nuk kam pësuar gjë. Unë kam ndenjur 16 muaj në qeli dhe nuk kam frikë nga një vezë e kos. Dhe ai që u frymëzua nuk bëri mirë”, u shpreh Beleri.
I pyetur për marrëdhëniet me Greqinë, Beleri thekson se ato nuk janë në nivelin më të mirë teksa shprehu gatishmërinë për rregullimin e tyre nëse i kërkohet. ”Nuk besoj se janë në nivelin e duhur. Janë përmirësuar nga periudha që unë isha në burg, por besoj se ka shumë për të dëshiruar dhe duhet sa më shpejt të rregullohen”. Për punimet e komitetit të stabilizim asocimit Shqipëri-BE të cilat u përmbyllën pa rezolutë të përbashkët për shkak të opozita dhe mazhoranca nuk gjetën dakordësi, eurodeputeti Beleri deklaroi votën e tij pro dhe shprehu dëshirën për integrimin e Shqipërisë në BE, teksa justifikoi opozitën për votën kundër.
”Unë votova sot rezolutën, unë isha pjesë e Partisë Popullore dhe vota ime ishte pro rezolutës së PE. Unë jam shtetas shqiptar e grek kam dëshirë që Shqipëria të integrohet në BE. Kam shtëpinë dhe biznesin në Himarë. Vendi i Shqipërisë është në BE. Këto dy ditë të gjithë palët shprehën dëshirën për emigrimin e Shqipërisë në BE. Problemet dihen. Opozita është përjashtuar nga parlamenti dhe gjeti një mënyrë për të reaguar”- tha si .