Beleri kërkoi lirimin nga burgu, Ministria e Jashtme greke: Po ndjekim me vëmendje procesin
Ministria e Jashtme e Greqisë, ka reaguar në lidhje me vendimin e sotëm të gjykatës për kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri.
Autoritetet greke deklarojnë se refuzimi i gjykatës pengon marrjen e detyrës nga ana e Belerit, ndërkohë që kanë shtuar se po ndjekin me vëmendje procesin. Fredi Beleri fitoi në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 14 maj, për Bashkinë e Himarës.
“Refuzimi i sotëm i kërkesës së Belerit për lirim nga burgu, dhe për të marrë detyrën si kryetar i ri i Bashkisë Himarë, pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe shkakton reflektim të thellë për qëllimet reale të ndjekjes së tij. Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pret respektimin e prezumimit të pafajësisë, element themelor i shtetit ligjor nga shteti fqinj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.