Beleri mbetet në burg, Apeli liron shokun
Këtë të enjte, në një seancë që u priste lirimi, por që Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.
Shoku i tij, Pandeli Kokaveshi është liruar pasi Apeli i GJKKO-së vendosi për të masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Sipas avokatit Marsel Zhupa, klienti i tij ka bërë para një viti transplant zemre dhe nuk mund të qëndronte në paraburgim për shkak te nevojave specifike mjekësore.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit dhe akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje të kryer në bashkëpunim. Edhe pse pas hekurave, ai arriti që të dilte fitues në garën përballë kandidatit të mazhorancës socialiste Jorgo Goro me një diferencë të vogël votash.
Sipas policisë, Beleri dhe Kokaveshi kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare me qëllim blerjen e votës. Ndërkohë disa nga personat e pyetur nga Policia e Vlorës kanë pranuar se u ishin premtuar lekë në këmbim të votës. Përsa kohë është në qeli, Beleri nuk mund të betohet për të marrë detyrën. E pa u betuar as nuk mund të shkarkohet nga detyra.