Beleri për Reuters: Lirimi im, do të ishte vendimi i drejtë
Fredi Beleri, eurodeputeti i zgjedhur i Greqisë, ka folur për agjencinë e njohur Reuters përpara ditës së premte, kur do të mbahet seanca në apel për dënimin e tij në Shqipëri me akuzat për blerje votash.
Beleri tha për Reuters se këto akuza janë false dhe të motivuara politikisht.
“Vendimi i vetëm i drejtë do të ishte lirimi im,” tha Beleri për Reuters në një intervistë telefonike nga burgu.
“Nuk ka asnjë provë kundër meje. Nuk ka mundësi që vendimi të jetë ndryshe në ndonjë shtet tjetër”.
Sipas agjencisë Reuters, ‘rasti i Belerit ka acaruar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, fqinjëve ballkanikë, lidhjet e të cilëve shpesh janë acaruar për shkak të dallimeve kulturore dhe historike, si dhe emigrantëve të shumtë shqiptarë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri’.
“Shqipëria nuk mund të sillet sikur nuk është shtet evropian,” tha Beleri.
Beleri tha se pranimi i Shqipërisë në BE ishte në interesin më të mirë të të dy vendeve.
“As unë dhe, besoj, qeveria greke nuk kemi asnjë qëllim të dëmtojmë anëtarësimin e ndonjë vendi,” tha ai.
“Por një Shqipëri por që nuk respekton shtetin e së drejtës dhe vullnetin e popullit nuk i përket BE-së”, shtoi ai.
“Nuk ka njeri që do që Shqipëria të jetë një vend normal europian më shumë se unë”, u shpreh Beleri.
“Ata që më akuzojnë për përçarje, duhet të kërkojnë përgjigjen te populli i Himares dhe populli grek”.