Beleri vijon betejën në Gjykatë, dhe kulisat e deklaratës së PPE-së nga lobuesi grek

Fredi Beleri vijon betejën për liri në Gjykatën e Lartë. Në këtë gjykatë janë regjistruar dy rekurse të tij. Në një prej tyre kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili ende nuk është betuar kërkon vlerësimin e paligjshëm të arrestit në flagrancë.

Në rekursin tjetër, Beleri kërkon vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Prokurorisë së Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar. Fredi Beleri ndodhet në burg për ”korrupsion në zgjedhje”. Kjo ka sjellë reagime të ashpra mes Athinës zyrtare dhe Shqipërisë.

Pak ditë më parë, Partitë Popullore Europiane miratuan rezolutën që kërkon lirimin e Belerit, vendim ky që solli edhe reagimin e kreut të qeverisë, Edi Rama. Ky i fundit, tha se kjo çështje i përket vetëm drejtësisë shqiptare. Sipas gazetës ”DITA”, rezoluta e sjellë nga një parti greke u lobua fort te anëtarët e presidencës dhe organeve drejtuese të PPE-së nga Thanasis Bakolas, i cili edhe e shpërndau më pas atë.

Ai është zgjedhur në vitin 2022 Sekretar i Përgjithshëm i PPE. Të gjithë e kanë vënë re se Bakolas është grek dhe rezoluta u paraqit nga një parti greke. Kjo mund të mbahej deri diku brenda kufijve të një normaliteti të sforcuar, por nuk mbaron këtu. Ai ka qenë këshilltar i kryeministrit grek Micotaqis dhe njeri i afërt i tij për një kohë të gjatë. Micotaqis është angazhuar personalisht me çështjen Beleri.

SHKARKO APP