Belind Këlliçi takim me gra dhe vajza në Tiranë: Mbështetje familjes, do kemi bursa të posaçme
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të kryeqytetit ku shpalosi një program që prek drejtpërdrejt jetesën, kushtet sociale, arsimimin, ekonominë dhe karrierën e grave dhe vajzave në Tiranë.
Këlliçi shprehu bindjen se “me angazhimin e grave dhe vajzave në fushatë, në 14 maj do të rrëzohet modeli që është aktualisht në krye të bashkisë së Tiranës, për t’i hapur rrugë ndryshimit”. Duke u ndalur te projekti i tij për transport publik falas, Këlliçi tha se do të investohet duke subvencionuar biletën dhe duke u paguar transportin publik të gjithë qytetarëve, duke bërë të mundur modernizimin e flotës dhe duke modernizuar stacionet e autobusit.
Këlliçi tha se për angazhimin e tij të dytë më të madh, zgjidhjen e problemit të trafikut me nënkalimin te sheshi “Skënderbej”, gratë kanë qenë shtysa e tij kryesore. “Liron 60 % të trafikut”, pohoi ai. Ai siguroi se ndërtimi i kopshteve, shkollave dhe çerdheve, do t’i japë zgjidhje shumë shqetësimeve që kanë sot familjet në Tiranë, në lidhje me fëmijët e tyre.
“Fokusi im kryesor do të jetë përdorimi i taksës së strehimit social prej 3 % në dy vitet e para për të ndërtuar çerdhe dhe kopshte në çdo njësi të Tiranës, në mënyrë që të akomodohen të gjithë fëmijët e Tiranës. Kuponin për çerdhet apo për kopshtet private, për çdo fëmijë që nuk regjistrohet dot në institucionet publike, bashkia e Tiranës do t’i japë 100 mijë lekë në muaj. 8 % që merret nga lejet e ndërtimit do të përdoret për të ndërtuar mjaftueshëm shkolla, në mënyrë që të marrë fund histeria kolektive e klasave me nga 40 fëmijë. Gjithashtu pika e katërt që lidhet me këto, është programi pas shkollave, për t’u krijuar fëmijëve një sërë veprimtarish të ndryshme mësimore, sportive dhe artistike”, tha ai.
Këlliçi shtoi se ai do të nxisë dhe ndihmojë në përmirësimin e statusit social të grave në shoqëri. Për këtë gjë, u shpreh se për vajzat e talentuara do të ketë bursa të posaçme.