Belind Këlliçi thyen heshtjen për Berishën: Arrestimi i Jamarbër Malltezit, spektakël i qeverisë
Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka thyer heshtjen për arrestimin e Jamarbër Malltezit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani dhe masën e sigurisë ndaj Sali Berishës që i kufizon lirinë, duke mos e lejuar të udhëtojë jashtë vendit. Përmes një njoftimi në rrjete sociale ai i quan se të gjitha lëvizjet e fundit të Prokurorisë dhe Gjykatës përndjekje politike.
“Arrestimi i Jamarbër Malltezit është një shkelje e qartë e ligjit, për shkak se më shumë sesa një hetim i pastër ligjor, është dukshëm një përndjekje e pastër politike. Jo vetëm sepse ai është familjar i Sali Berishës, por për shkak se zullumi i rilindjes ka arritur atë kulm, sa lypset një kurim, duke hedhur prangat padrejtësisht në anën tjetër.
Duhet një zhurmë shumë e madhe për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve, ku denoncues kryesor ka qenë vetë Jamarbër Malltezi që nga dita e parë e bërjes publike të këtij skandali, aferë kjo e cila sapo ka shpalosur tashmë ideatorët dhe përfituesit kryesorë, që quhen Edi Rama dhe Erion Veliaj. Jam mbështetes i drejtësisë dhe zhdukjes së pandëshkueshmërisë pa asnje kufizim. Por një drejtësi me agjendë të pastër politike, që nuk është e verbër para ligjit, por mban një sy hapur për të qenë në rregull me pushtetin, nuk i shërben aspak vendit.
Shoë dhe spektakli i gatuar në kuzhinën mediatike të qeverisë është një standard i cili duhet të refuzohet me përbuzje nga çdo qytetar. Ish hetuesi i diktaturës Kraja, i cili ka shkelur Kushtetutën e vendit duke kufizuar lirinë e Sali Berishës pa asnjë vendimarrje të Kuvendit të Shqipërisë, do duhej që në fakt sot të kishte çuar para drejtësisë me prova e me fakte Edi Ramën bashkë me Erion Veliajn dhe tërë shpurën e tyre që kanë 10 vite që grabisin pasuritë publike dhe të ardhmen e shqiptarëve”, shkruan Belind Këlliçi.