Belind Këlliçi vijon me takimet në zonën e ”Xhamllikut”: Nuk do gjobitet asnjë qytetar
Vijon edhe këtë të hënë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi, u takua me banorët e zonës së Xhamllikut. Ata i paraqitën Këlliçit problemet që lidhen me ndërhyrjet e nevojshme në pronat e tyre për t’i mirëmbajtur ato, por që sipas tyre rrezikojnë të gjobiten nga bashkia Tiranë.
“Nuk do gjobitet më njeri se ndërton një avlli apo riparon shtëpinë sipas ligjit”, u shpreh Këlliçi. Kur u pyet nga gazetarët mbi çështjen e parkimit në lagjet e qytetit, Këlliçi foli për zgjidhjen që tha se do t’i japë këtij problemi duke nisur nga kthimi falas e një pjese të tyre për banorët.
“30% të parkimeve që janë me pagesë kthehen falas, ndërtojmë parkime nëntokësore për qytetarët si dhe sheshe të dedikuara për parkim”, vijoi më tej ai. Ndërtimi i këndeve të lojërave dhe pushimit për fëmijët do të jetë një tjetër projekt që Këlliçi pohoi se ka përgatitur për lagjen e Xhamllikut.