Belind Këlliçi zbulon dokumentin: Berisha po arrestohet për firmën e Ramës

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka zbuluar një dokument që është pjesë e dosjes me mbi 200 faqe të SPAK për çështjen “Partizani”, e cila do çojë në arrestimin e Berishës, por mban firmën e Edi Ramës.

Ky dokument përmban vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit për bashkinë e Tiranës të vitit 2006 për transformimin e terrenit sportiv “Partizani” në terren ndërtimi, firmosur nga Edi Rama, asokohe kryetar i Bashkisë së kryeqytetit. Këlliçi më tej shtoi se SPAK është duke bërë goditje politike dhe Berisha do të arrestohet duke mos pasur asnjë akuzë që rëndon mbi të.

“Një nga shkeljet e vetme në ato 200 e ca faqe që ka gjetur SPAK-u është ndryshimi i destinacionit të truallit, nga terren sportiv në terren ndërtimi. Këtë vendim nuk e ka marrë zoti Berisha por kryetari i atëhershëm i bashkisë, Edi Rama, i cili në këtë shkresë ka firmën. Në pikë j të saj është edhe vendimi për rrugën “Frosina Plaku” dhe terrenin sportiv Partizani. Ky dokument është dokument zyrtar i Edi Ramës si kryetar i Bashkisë Tiranës dhe mbi të gjitha kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës.

Është administruar si provë në dosje, tre herë përmendet kryetari i bashkisë së athershme dhe vendimi i vitit 2006 por kanë frikë t’i përmendin emrin Edi Ramës. Me firmë dhe me vulë dhe s’ka guxim Prokuroria e Posaçme ti përmend emrin Edi Ramës. Është e çuditshme se në të treja herët përmendet vendimi i Kryetarit të Bashkisë me titull, thua sikur nuk ka emër. Këtu ke të bësh me drejtësi me dy standarde. Kjo është një tentativë e përsëritur e organeve të reja të drejtësisë për të goditur opozitën”,-tha në ”A2cnn”.

SHKARKO APP