Ben Andoni për “Minishengenin”: Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e këtij procesi
Gazetari Ben Andoni i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për takimin e tretë të Minishengenit Ballkanik, i cili do mbajë punimet në Durrës. Duke folur për takimin mes Ramës-Vuçiçit dhe Zaevit, gazetari pohoi se Shqipëria duhet të sillet me mençuri për të materializuar këtë takim në aspektin ekonomik. Ai u shpreh optimist se edhe Kosova do të bëhet shumë shpejt pjesë e këtij Samiti, mjaft të disktutuar në Shqipëri e Kosovë.
Analisti u ndal edhe tek deklaratat e Vuçiç mbi masakrën e Reçakut, deklaratë e cila shkaktoi irritim të madh. Më tej, Ben Andoni tha se mohimi i masakrës së Reçakut është një “autogol” për Vuçiç.
“Ka një ndarje të tre vendeve tona, Shqipërisë , Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të fituar njëfarë ritmi. Kosova në këtë moment është në periudhën e tranzicionit, por besoj se shumë shpejt do të jetë pjesë e këtij procesi. ShBA kanë vendosur për pak javësh dy emisarë specialë që merren me Kosovën, kjo tregon se këto dy vende do të vendosen para kushteve shtrënguese. I gjithë problemi ynë është se realisht: a do ta funsionalizojmë këtë në aspektin ekonomik, sepse është proces ekonomik, jo politik. Të tre vendet kanë mundësi të vitalizojnë diçka. Asnjë mbështetje nuk do ti jepet Serbisë nëse nuk do të zgjidhë problemet që ka me Kosovën. Kjo është shfrytëzuar shumë keq në Kosovë, për të shitur dhe për të marrë pikë. Kjo ka dëmtuar Kosovën, sepse ka derdhur energji për gjëra që nuk e ndihmonin Kosovën. Partitë kosovare janë kundër këtij minishengenit. Ky ndryshim i vazhdueshëm ka dëmtuar vetë Kosovën. Vuçiç ka bërë autogol. Kjo që ka bërë për Reçakun është një autogol, sepse është i paqartë politikisht. Ashtu si partitë kosovare që nuk e do minishengeni, edhe opozita serbe nuk e do. Vuçiç nuk është një politikan race. Këtë e bën (mohimin e masakrës) për fushatë politike. Masakra e Reçakut nuk mund të fshihet dot. Masakra është e jashtëzakonshme dhe është në ADN tonë”-tha ai.